Antonio Costa, i cili ka marrë tashmë detyrën e Presidentit të Këshillit Europian, ka bërë të ditur në një fjalim para Parlamentit Europian se zgjerimi i bllokut me Ballkanin Perëndimor dhe fqinjët lindor është mjet i fuqishëm për paqe, siguri e përparim si dhe një imperativ gjeopolitik.
Costa shtoi se ashtu sikurse BE edhe vendet aspirante për t’u anëtarësuar në union duhet të punojnë më shumë dhe më shpejt, shkruan A2 CNN.
Më 3 dhjetor, Presidenti i ri i Këshillit Evropian, ka ftuar në takim liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për shkak të një vizite tjetër e cila është konfirmuar shumë më herët, nuk do të jetë të martën në Bruksel, por ajo ka paralajmëruar se do të shkojë në kryeqytetin evropian një ditë më vonë pra, më 4 dhjetor, ku do të zhvillojë takime me Presidentin Costa dhe me liderë të tjerë të bllokut. (A2 Televizion)