Nga marrëveshja ekonomike mes Kosovës e Serbisë, njohja nga Izraeli, e mospajtimet politike dhe akuzat, janë ngjarjet që shënuan raportet e Kosovës me administratën e kaluar amerikane të Donald Trump.
Tani, pas rikthimit të republikanit në Shtëpinë e Bardhë, njohësit politikë në Kosovë presin qëndrime të njëjta të kësaj administrate lidhur me Kosovën. Analistja Magbule Shkodra mendon se administrata e re amerikane nuk do të ketë mes prioriteteve çështjen e Ballkanit dhe Kosovës, por ajo do të bëjë hap konkret me emërimin e një emisari special për dialogun.
Ndërkohë, kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexha, e cilëson këtë si një ditë të veçantë për politikëbërjen në Kosovë dhe Shqipëri pasi, siç thotë, bëhet fjalë për Presidentin me fuqinë më të madhe diplomatike në botë.
Njohësit e politikës janë njëzëri sa i përket marrëveshjes ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, të firmosur në Shtëpinë e Bardhë nën ndërmjetësimin e Trump. Ata besojnë se republikani do t’i rikthehet ujdisë dhe do të kërkojë zbatimin e saj.
Marrëveshja e Uashingtonit përfshinte projekte konkrete infrastrukturore si autostrada e Paqes Prishtinë-Merdare dhe një linjë hekurudhore në të njëjtën rrugë, për të lehtësuar lëvizjen dhe tregtinë mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithëse projekti i autostradës vazhdoi në të dy anët, ai mbetet ende i papërfunduar tërësisht. (A2 Televizion)