Lista serbe ka qenë shpeshherë e përfshirë në trazirat në veriun e Kosovës. Këtë fakt e ka bërë të ditur Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, gjatë një konference në prezantimin e raportit të Institutit për Siguri dhe Reziliencë, shkruan A2 CNN. Zveçla ka thënë se beteja e vazhdueshme e autoriteteve të Kosovës për shtirje të sovranitetit në pjesën veriore të vendit, ka demaskuar aspiratat e Serbisë për territorin e Kosovës, dhe që pjesëtarë të Listës Serbe.
“Nuk mund të thotë Lista Serbe se nuk ka qenë e përfshirë në sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, kur asistentë, shoferë, truproje, zyrtarë të Listës Serbe, kanë qenë pjesë aktive e sulmit, janë identifikuar dhe tash një pjesë e tyre janë në arrati”, tha Sveçla.
Ai nuk ka përmendur ndonjë emër në mënyrë specifike dhe deri më tani autoritetet e drejtësisë nuk kanë ngritur ndonjë aktakuzë ndaj zyrtarëve të lartë të Listës Serbe, ndonëse disa janë ftuar për intervistim për pjesëmarrje në protesta, shkruan A2 CNN. Ai ka thënë se mungesa e shtrirjes së plotë të institucioneve vendore në pjesën veriore në të kaluarën, ka mundësuar terren plotësisht të lirë për grupet kriminale dhe çdolloj aktiviteti ilegal.
Sipas ministrit Sveçla, integrimi i strukturave paralele serbe në institucionet e Kosovës, sipas marrëveshjes së Brukselit, ka mundësuar instalim të strukturave që i kanë raportuar Serbisë dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. “Kjo faktohet jo vetëm me dorëheqjen e orkestruar të pjesëtarëve serbë nga Policia e Kosovës dy vjet më parë, të cilët me uniformë policore, me pagë të Policisë së Kosovës, dhe me armë zyrtarë të policisë u kanë shërbyer politikave destabiluzuese të Serbisë. Ne asnjëherë nuk do të themi se ja kemi dalë, se nuk do të ketë sulme të reja, për aq kohe sa kemi përpara një Serbi jodemokratike, kemi një Serbi paramilitare, e qeverinë e saj fashiste”, tha ai.
Autoritetet e Kosovës kanë ndërmarrë një mori veprimesh këtë vit në veri, përfshirë ndalimin e dinarit serb për kryerje të pagesave të para të gatshme dhe mbylljen e disa institucioneve paralele serbe, për siç kanë thënë, shtirje të sovranitetit. (A2 Televizion)