Zgjedhjet në Kosovë/ Rritja e pagave, premtim kryesor i partive politike

Nga Ideal Gola
10 Janar 2025, 20:24 | Politikë

Qeveria e Kosovës, që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, mori vendim për rritje pagash nga 1 janari i këtij viti për 55 euro, ndërsa nga 1 korriku do të ketë një rritje shtesë prej 55 eurosh të tjera.

Qeveria u kritikua se veprimin e bëri për shkak të zgjedhjeve, por tashmë premtime për rritje të pagave kanë dhënë pothuajse të gjitha subjektet politike në garë, shkruan A2. Partia Demokratike premton rritje të pagës deri në 50% për punëtorët e sektorët publikë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës premton rritje të vlerës së koeficientit në masën 150 euro, nga 110 sa është aktualisht. 

Blendi Hasaj, nga Instituti GAP tha për A2: “Rritja e pagave medoemos do të duhej të bëhej konform edhe rritjes ekonomike të vendit dhe kështu përcaktohet edhe në Ligjin për financa publike në përgjithësi dhe secili nga këto premtime që parasheh një rritje të pagave qysh në vitin e parë për më shumë se 10, 20 apo 30% është në kundërshtim me këtë ligj bazik që rregullon financat publike”. 

Fiona Bunjaku, nga Lëvizja Fol, deklaroi: “Është realisht e paqëndrueshme në praktikë dhe e parealizueshme andaj mund të themi që këto premtime vazhdojnë të jenë vetëm premtime në letër, premtime boshe, që vazhdimisht i kemi parë prej secilës parti politike”. 

Në sytë e ekonomistëve, gara për rritjen e pagave nuk është e shëndetshme, prandaj sugjerojnë që të përqendrohet në sektorë të tjerë sikurse ai për investime kapitale. Rritjet e pagave që nuk kanë bazë do të mund të shqetësojnë edhe institucionet financiare ndërkombëtare. 

“Shtimi i shpenzimeve në këto kategori rrjedhësve besoj që do të ndikonte për të keq në stabilitetin makrofiskal që e kemi dhe do të krijonte probleme edhe në atë sferë dhe nuk është aspak e mirëpritur që t’i shohim partitë që të garojnë se cila do të shpenzojë më shumë për disa kategori vetëm në kontekst të asaj se t’i bindin qytetarët me lehtë që të votojnë për ta”, shtoi më tej Hasaj.

Premtimet për rritje pagash kanë ndikim për një numër të lartë punonjësish që marrin rrogat nga buxheti i shtetit si mësuesit, mjekët, policët apo ushtarët, prandaj është edhe premtim që bëhet në çdo zgjedhje. 

“Premtimet të cilat vazhdimisht janë të përsëritura sa i përket rritjes së pagave i kemi parë vazhdimisht në secilën fushatë që e kanë zhvilluar partitë, janë premtime të cilat nuk janë mirë të bazuara në ligj dhe nuk janë mirë të bazuara në praktika se si mund të ndodhë rritja e pagave”, u shpreh Bunjaku.

Fushata zgjedhore në Kosovë do të jetë deri më 8 shkurt, ndërsa më 9 do të jetë dita kur votuesit do t’i drejtohen kutive të votimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos