Dhjetë persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e shpërthimit të një granate dore, sot në orët e hershme të mëngjesit, në Tregun e Kafshëve në Prizren. Sipas Policisë, të lënduarit janë transferuar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren për trajtim mjekësor.
Shefi i Emergjencës në Prizren, Hekuran Veçgishti, tha për mediat në Kosovë se ndihmë mjekësore kanë kërkuar dhjetë persona. Sipas tij, pesë prej tyre janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor, ndërsa pesë të tjerë janë liruar për në shtëpi.
“Rreth orës 05:00 i kanë sjellë në Emergjencën e spitalit tonë. Janë dhjetë të lënduar, ku pesë prej tyre janë transferuar për në QKUK dhe pesë janë liruar në shtëpi”, tha Veçgishti.
Ai bëri të ditur se të plagosurit kanë marrë lëndime në gjoks dhe në qafë dhe për shkak se të njëjtit nuk mund të trajtohen në Spitalin e Prizrenit, janë transferuar në QKUK.
“Kanë disa lëndime që nuk mund të trajtohen në Spitalin e Prizrenit. Kanë lëndime në gjoks, në qafë dhe për mungesë të specialiteteve të caktuara, prandaj janë transferuar në QKUK”, tha Veçgishti.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, tha se lidhur me rastin janë identifikuar tre persona të dyshuar, të cilët janë shpallur në kërkim policor.
“Sot më datë 22.11.2023. Rreth orës 04:50, policia ka pranuar informate për një rast plagosje të Tregu i Kafshëve në Prizren. Nga informatat e para është kuptuar se 10 perona kanë pësuar lëndime nga shpërthimi i një granata dore. Të gjithë të lënduarit janë në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit. Policia ka dalë në vendngjarje dhe është informuar prokurori kujdestar gjithashtu. Në vendngjarje kanë dalë hetimet rajonale të Prizrenit dhe janë duke mbledhur provat dhe dëshmitë. Tre të dyshuarit janë identifikuar dhe janë në kërkim policor”, tha Gashi. (A2 Televizion)