Qeveria e Albin Kurtit shprehet kundër propozimit të Komisionit Europian për heqjen e vizave edhe për serbët e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se kjo është diçka e papranueshme pasi mjetet identifikuese janë të paligjshme.
“Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tone”, shkruan zyrtari i qeverisë Kurti.
Bislimi shton se ky propozim minon integrimin e komunitetit serb dhe shkel marrëveshjet e dialogut për eliminimin e këtyre strukturave ilegale të Serbisë.
“Komuniteti serb në Kosovë, nuk ka mbetur pa liberalizim të vizave, pasi ata mund të pajisen me pasaporta të rregullta të lëshuara nga Kosova të cilat mundësojnë udhëtimin pa viza”, konfirmon zëvendëskryeministri.
Mes tjerash, Bislimi bën me dije se për serbët aplikohet një procedurë e përshpejtuar për pajisje me pasaporta dhe së këtë vit ka pasur një rritje me 29 për qind të aplikimeve nga ky komunitet. (A2 Televizion)