Dusan Maksimoviç, Vladimir Toliç dhe Blagoje Spasojeviç janë tre serbët e arrestuar pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, për të cilët Gjykata e Apelit vendosi pro vendimit të Gjykatës Themelore për vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj.
Kujtojmë se më 20 tetor të këtij viti Gjykata e shkallës së parë kishte marrë aktvendimin për vazhdimin e paraburgimit. Lidhur me këtë vendim mbrojtja e të dyshuarve kishte parashtruar ankesë në shkallë të dytë, por që Apeli dje i ka refuzuar këto ankesa dhe ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore.
Sipas arsyetimit të gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë e ka arsyetuar drejtë se janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit.
Ata u arrestuan si të dyshuar për sulmin terrorist ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe u plagos një polic tjetër, më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit. Ata dyshohen për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës si dhe për vepra terroriste. (A2 Televizion)