Rama merr dozën e tretë: Nëse nuk vaksinoheni nuk do të mund të shkoni në punë

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2021, 11:59 | Aktualitet
Rama merr dozën e tretë: Nëse nuk vaksinoheni nuk do të mund

Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje qytetarëve të bëjnë vaksinën anti-Covid dhe të mos u besojnë gënjeshtrave që përhapen në internet. Ai paralajmëroi se vaksinimi do të bëhet i detyrueshëm për disa kategori personash, si punonjësit e administratës publike apo ata që kanë kontakte me njerëz.

“Këtë nuk e vendos unë, e vendos komiteti. Ne nuk do të marrim vendime politike”, tha Rama i pyetur nga A2 CNN në lidhje me vendosjen e masave kufizuese ndaj personave që nuk kanë bërë vaksinën.

“U them nëpunësve të shtetit të vaksinohen sepse mund të vijë momenti që të kenë të detyrueshëm kartelën e vaksinimit për të shkuar në punë dhe nuk do të paguhen nëse nuk shkojnë në punë. U them atyre nuk do të lejohen të hyjnë nëpër merkato e dyqane të vaksinohen. Ata që kanë dyqane të vaksinohen se mund të vijë momenti që do t’u mbyllet dyqani. Kush nuk do të vaksinohet është në lirinë e vet, po nuk mund të kërcënojë të tjerët”, tha Rama.

“Bëra vaksinën e tretë me zgjedhje të rastësisshme, sepse nuk e kuptoj dot sesi në shekullin XXI nuk mund t’i besohet shkencës, autoriteteve, por u besohet disa sharlatanëve dhe disa delirantëve në internet që shpërndajnë gjithfarë teorish konspiracioni. Si ka mundësi që kjo të jetë një lojë dhe asnjë kanal serioz informimi të mos flasë. Pra u është mbyllur goja të gjitha mediave dhe u është hapur goja atyre që s’kanë asnjë lidhje me shkencën, humanizmin dhe shëndetin publik. Po flasin për të bërë vaksinën gjithë akademitë e botës dhe po flet kundër vaksinës një lumë konspiracioni në Facebook e internet. Kjo është të fyesh inteligjencën tënde. Vaksina nuk të mbron nga infektimi, të mbron nga vdekja. Çfarë mund të thuhet tjetër sot? Ndërkohë që Austria është mbyllur komplet, të tjerët po marrin gjithfarëlloj masash, ne kemi bërë çmos të mos ngarkojmë psikologjikisht dhe të mos stresojmë, por duhet të jemi të qartë, që nuk mundet dot ta lëmë këtë situatë në rrjedhje të lirë, “të dalë ku të dalë”, sepse mbajmë përgjegjësi”.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi