Nga Asambleja e Këshillit të Europës, kryeministri Edi Rama ka kërkuar tërheqjen mbrapsht të raportit të Dick Marty që e cilësonte Shqipërinë si bazën për trafikimin e organeve njerëzore nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në fjalën e tij të shkurtër, kreu i qeverisë tha se mohimi i kësaj të vërtete është po aq gabim i rëndë sa edhe momenti kur ky raport u votua asokohe.
“Situata shqetësuese e pati zanafillën brenda Këshillit të Europës, do të isha fajtor nëse heshtja dhe Asambleja duhet të korrigjojë çdo gabim dhe do duhet t’i hapë rrugën tërheqjen mbrapsht të raportit që etiketoi Shqipërinë si bazë për trafikimin e organeve njerëzore. Të refuzosh të përballesh me të vërtetën do të ishte më keq se të bëhej ky raport”, tha Rama.
Ai bëri një paralelizëm me Ukrainën dhe Kosovën, ku tha se presidenti Volodomir Zelenky sot është Hashim Thaçi dje.
“Kërkoj ndjesë sepse më duhet të bëj një rrëfim jo të këndshëm, është e pamundur të mos heq paralele mes presidentit të Ukrainës, Zelensky dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Padrejtësia kundrejt UÇK-së nisi në Këshillin e Evropës nën ndikimin dashakeqës të Rusisë. Presidenti i Kosovës gjykohet nga një gjykatë e veçantë e ngritur nga bota demokratike, por mbështetur në një raport si ai i Dick Marty, që u sponsorizua nga Putin. Akuza të pabazuara u ngritën si një lloj njollosjeje të Shqipërisë dhe Kosovës. Kur dëgjova Putin të fliste për krime kundër njerëzimit, m’u duk sikur pashë Zelenskyn në Gjykatë të ngritur pas 10 vjetësh”, tha Rama.
Kryeministri ndodhet në Islandë, ku mori pjesë në samitin e Këshillit të Evropës. (A2 Televizion)