
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale fotot e disa jahteve që kanë vizituar ditët e fundit portin e Durrësit, i cili kohët e fundit ofron naftë pa taksa për ta, falë një vendimi të qeverisë.
Kreu i qeverisë shkruan se një numër i madh jahtesh dhe kroçerash kanë mbërritur këtë vit në portin më të madh të vendit dhe pritet që falë investimeve të shtohen në vitin e ardhshëm.
“Lürssen dhe Koru nuk janë emrat e asnjë personazhi vizatimor, por superjahtet luksoze që kanë zgjedhur Durrësin për t’u ndalur në këto ditë të para të shtatorit. Sezoni ka qenë fantastik për Portin e Durrësit, me 257 jahte të mëdha turistike dhe 21 kroçera që janë mikpritur nga autoritetet shqiptare, duke qenë vetëm një shembull i vogël i flukseve të shtuara turistike, të cilat do të rriten ende më shumë falë investimeve dhe transformimeve të mëdha në infrastrukturën portuale që do të marrin jetë hap pas hapi”, shkruan Rama. (A2 Televizion)