Raporti për 6-mujorin 2023, BSH vlerëson pozitivisht deeuroizimin, por qarkullimi i valutës u rrit

Nga A2 CNN
19 Gusht 2023, 14:03 | Ekonomi
Raporti për 6-mujorin 2023, BSH vlerëson pozitivisht deeuroizimin, por

Qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë morën më pak kredi në euro ndërsa në banka depozituan më shumë kursime në lekë në gjysmën e parë të vitit. Megjithatë Banka e Shqipërisë, në raportin që publikohet çdo gjashtë muaj mbi procesin e deeuroizimit pranon se objektivat për të nxitur përdorimin e monedhës kombëtare janë ende larg arritjes.

 “Kjo tregon që ji vetëm deeuroizimi, por një sërë politikash të ndërmarra nuk kanë mundur të japin e efektin e pritur. Dhe kjo jo për fajin e tyre, por për shkak të zhvillimeve ekonomike në vend ku do të veçoja qarkullimin e madh të parave informale nga pastrimi i parave dhe korrupsioni”, tha Igli Tola, ekspert për ekonominë.

Banka Qendrore vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit, mbiçmimi i lekut ndaj valutave kryesore ka qenë i ndjeshëm dhe më i shpejtë se në periudhat e mëparshme.

 “Po ta shohim ftohtë, do të dalim në përfundimin se është ekonomia informale ajo që prej kohësh po destabilizon kursin e këmbimit në vend.”

Në vitin 2017, Banka e Shqipërisë, nën këshillat e Fondit Monetar Ndërkombëtar nënshkroi një memorandum me Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, me qëllim zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë vendase. Por, deri tani, efekti i këtyre masave ka qenë modest dhe euroizimi i sistemit financiar ngelet i lartë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos