“Rroga e deputetit, 39 herë më e lartë se pensioni minimal”, Arlind Qori proteston për rritjen e pagave

Nga A2 CNN
25 Maj 2023, 10:36 | Aktualitet
“Rroga e deputetit, 39 herë më e lartë se pensioni

Teksa parlamenti pritet që të miratojë sot rritjen e pagave për presidentin, kryeministrin, ministrat, deputetët dhe rreth 130 mijë punonjës në të gjitha nivelet e administratës publike, “Lëvizja Bashkë” e Arlind Qorit ka thirrur një protestë para parlamentit. Me parullën “Mos u ngopshi”, qytetarët kundërshtojnë rritjen e pagave. Të rreshtuar pas kësaj pankarte dhe në thirrjet me megafon kundër këtij projektligji, protestuesit kanë hedhur dhe para false në tokë, duke ironizuar ndasinë mes pasurisë së politikanëve dhe qytetarëve të thjeshtë.

“Në Shqipërinë tonë pensioni minimal është sa askund tjetër në Europë, vetëm 80 mijë lekë të vjetra. Pensioni mesatar në qytet është 150 mijë lekë të vjetra. Unë bëra një llogari dhe rroga e deputetit do të jetë 39 herë më e lartë se pensionet minimale, sa 21 pensionet mesatare. Ky është skandal i padëgjuar ndonjëherë në asnjë vend. Një deputet merr rrogë 6-7 herë më të lartë se një polic”, u shpreh Qori në protestë.

Sipas tij, mazhoranca dhe opozita janë bashkë në tryezën e korrupsioni dhe zihen vetëm për pozicionin dominues.

“Si mundet në vendin tonë të ketë kaq shumë pabarazi? Ata që na qeverisin nuk duan t’ia dinë për popullin, ndihen aq të sigurt sa edhe mund ta dhjetëfishojnë rrogën e tyre. Kjo nuk është ndarje kur është puna për të vjedhur ata janë bashkë, ata bëjnë sikur zihen se duan pozicioni dominues në tryezën e korrupsionit”.

Qori i bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen të protestojnë, pasi Shqipëria po zbrazet.

“I bëjmë thirrje të gjithë popullit shqiptar të ngrihet në protestë se nuk jetohet kështu. Shqipëria po zbrazet nga njerëzit e punës dhe rinia. Hapësira publike po vidhet dhe të vetmit që gëzojnë janë oligarkët e pushtetarët. Mallkimi i këtij populli do t’i shoqërojë deri ditën e fundit. Ne nuk ndalemi deri sa të gjithë të korruptuarit të përballen me ligjin dhe pakënaqësinë e mllefin e popullit shqiptar”.

Kujtojmë që Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit mori mandat për Këshillin Bashkiak dhe ai u rendit i treti në garën për Tiranën në zgjedhjet e 14 majit.

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024