Samiti i 6 dhjetorit, Policia publikon masat, rrugët që do të bllokohen dhe oraret

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2022, 13:05 | Aktualitet
Samiti i 6 dhjetorit, Policia publikon masat, rrugët që do të

Përpos rrugëve brenda kryeqytetit, ditën e nesërme kur do të mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor do të ketë bllokim ose devijim të rrugës edhe për disa akse interurbane të Tiranës.

Policia e Tiranës bën të ditur se bllokimi i lëvizjes në këto akse do të nisë nga ora 06:00, e mëngjesit të së martës deri në orën 18:00.  

Akset që do të bllokohen janë:

- Rruga “Rinas - Qafë Kashar” dhe anasjelltas;

- Autostrada “Tiranë- Vorë” dhe anasjelltas;

- Unaza e Madhe, nga ish-sheshi “Shqiponja”, deri te rrethi i Sanatoriumit, dhe anasjelltas;

- Rruga e Elbasanit nga rrethi i Sanatoriumit deri tek ura e Elbasanit dhe anasjelltas.

Gjithashtu, njoftohet se të gjitha rrugën që lidhin rrugën e Elbasanit, me rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Mustafa Matohiti”, “Jul Variboba”, “Faik Konica”, “Fatmir Haxhiu”, “Gjeneral Nikols”, rrugën e Atjonit, “Sheh Ahmet Pazar”, si dhe të gjitha rrugët që lidhin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me rrugët “Ibrahim Rugova”, “Ukraina e lirë” dhe “Lek Dukagjini”, do të jenë të bllokuara.

Në këto segmente nuk do të lejohet parkimi i mjeteve. Automjetet që nuk janë larguar do të spostohen me mjete ngritëse, nga Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit.

Për mjetet e emergjencave mjekësore dhe ato të emergjencave civile, nuk do të ketë pengesa, përveç kontrolleve nga punonjësit e Policisë, në perimetrin e sigurisë.

Po ashtu, bëhet e ditur se të gjitha mjetet e emergjencave që do t’u duhet të lëvizin në drejtim të QSUT-së dhe spitalit "Shefqet Ndroqi", duhet të ndjekin unazën lindore, kur vijnë nga juglindja, për të vijuar nga Shkoza-Kryegjyshata Botërore-Farka-Sanatoriumi-Kodra e Priftit-QSUT.

Gjithashtu, emergjencat mjekësore që vijnë të Spitali i Traumës, nga veriu dhe jugu, gjatë kohës së bllokimit të akseve rrugore, të ndjekin akset alternative: “Paskuqan-rruga “Azem Galica”-shinat e trenit-Spitali i Traumës” dhe “Rruga e Shkodrës-rruga “Petrit Radovicka”-rruga “Gjergj Legisi”-rruga “Lord Bajron”-Spitali i Traumës”.

Devijim të rrugës do të ketë edhe për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga veriu, me destinacion aeroportin e Rinasit. Rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Fushë Prezë – Rinas”.

Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Durrësi, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Vorë- rruga e vjetër e Fushë Krujës” dhe për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga juglindja, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Elbasan - rrethrrotullimi TEG-ut- unaza lindore- Paskuqan -Kamëz- kryqëzimi i Valiasit- Rinas”.

https://a2news.com/2022/12/05/rruget-qe-bllokohen-ne-tirane-qe-nga-5-dhjetori/

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024