Rezultati i zgjedhjeve vendore ishte fokusi i pak minutave debat parlamentar. Rikthimi në punë pas një muaj fushatë elektorale, ishte i shkurtër për deputetët. Rreth 30 minuta seancë mjaftuan që opozita të artikulonte qartë akuzat e saj mbi procesin zgjedhor, të cilat nuk mbetën pa përgjigjen e maxhorancës.
14 maji ishte kryefjala e diskutimeve në seancën plenare të parë pas zgjedhjeve vendore. Përfaqësuesit e koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhanë mesazhin e qartë se për ta procesi elektoral ishte një farsë.
“Para dy ditësh u mbyll një proces, më i turpshmi në historinë e Shqipërisë të ashtuquajtur sa i përket proceseve zgjedhore. Tashmë do t’u përgjigjemi siç mund t’i përgjigjesh një regjimi kriminal dhe një bande kriminale. Nuk ka asnjë rrugë tjetër me ju”.
Bujar Leskaj e shpjegon rezultatin e dobët të opozitës edhe me largimin e shqiptarëve.
“Në të dy vitet e fundit janë 200 mijë shqiptar që kanë braktisur Shqipërinë, në shumicë dërrmuese simpatizant i opozitë”.
Akuzat opozitare Taulant Balla i konsideroi çmenduri duke u shprehur se humbësit duhet të pranojnë rezultatin.
“Mendoj që historia në këto vite që humbësi e sheh fajin tek kundërshtari dhe asnjëherë nuk bën një analizë të vetën për të kuptuar se çfarë ka bërë gabim. Të insistosh në të njëtin gabim është çmenduri”.
Një nga shtatë bashkitë e fituara nga opozita ndodhet në një situatë delikate pasi kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës është prapa hekurave. Këtë arrestim Vangjel Dule e konsideroi si politik me urdhër të kryeministrit.
“Z. Beleri është arrestuar në flagrancë si i dyshuar. Kush di shqipen elementare e kupton që këtu kemi absurditetin më të madh. Flagranca presupozon faktin e kryer, ndërsa dyshimi është dyshim. Është marrë peng nga kryeministri Edi Rama.”
Seanca zgjati më pak se 30minuta pasi deputetët e mazhorancës bashkë me ministrat kishin regjistruar emrat në listën e diskutantëve, por me kërkesë të Kryeministrit nuk e morën fjalën, duke boshatisur sallën. (A2 Televizion)