
Koronavirusi ka bërë atë që faktorët vendas dhe ndërkombëtarë nuk e bënë dot për muaj të tërë të krizës politike, të ulë në një tryezë palët, edhe pse virtualisht.
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare u dominua nga masat që janë marrë dhe do të merren nga qeveria për përballimin e situatës në vend, përballimi i situatës ekonomike, masat e marra për rikthimin e shtetasve shqiptarë.
Burimet nga mbledhja i thanë A2 se kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e qeverisë informuan për skenarët që do të duhet të përballohen në varësi të zhvillimit të situatës.
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehu pikëpamjet dhe sugjerimet e opozitës për të përballuar këtë pandemi: “Qytetarëve t’u garantohet ushqimi dhe shërbimi i duhur shëndetësor. Biznesit i duhen dhënë garanci se do të bëhet gjithçka për ta mbështetur me vendime konkrete. Duhet një plan masash për fermerët”.
Nga ana e tij, Presidenti Ilir Meta e ka cilësuar mbledhjen shumë konstruktive: “Mbledhja, që u zhvillua në një frymë tepër konstruktive dhe bashkëpunuese, pati si qëllim kryesor unifikimin e të gjitha energjive për të përballuar me efikasitet të plotë këtë pandemi”.
Palët u zotuan për të vijuar informimin në vazhdimësi për situatën. (A2 Televizion)