Bota e teknologjisë u trondit dje nga lajmi i vdekjes së papritur të miliarderit Paul Allen, bashkëthemelues i gjigandit Microsoft. Amerikani 64 vjeçar ndërroi jetë në Seattle vetëm pak javë pas analizave që tregonin shenjat e linfomës të Hodgkinit, një formë e kancerit që prek sistemin imunitar.
Allen dhe ish shoku i tij i shkollës Bill Gates themeluan në vitin 1975 kompaninë Microsoft, që revolucionoi botën e informatikës dhe veçanërisht atë të sistemeve operative, me programe që sot bëjnë pjesë në përditshmërinë e miliarda përdoruesve, si Windows, Outlook etj.
Gjeniu i informatikës, pasuria e të cilit kapte sipas revistës Forbes shifrën e 20 miliardë dollarëve, ishte edhe një filantrop i shquar, që ndër vite ka dhuruar më shumë se 2 miliardë dollarë në bamirësi dhe për luftën kundër virusit Ebola.
Bill Gates u shpreh i shokuar nga vdekja e mikut të tij, duke shtuar: “Pa Paulin, bota e kompjuterëve siç e njohim nuk do të kishte ekzistuar”. (A2 Televizion)