Shqipëria i kthen “borxhin” Turqisë, niset misioni i kërkim-shpëtimit

Nga A2 CNN
6 Shkurt 2023, 17:00 | Aktualitet

Shqipëria ka nisur një mision solidariteti në ndihmë të operacioneve të kërkim-shpëtimit në Turqi, pas tërmetit shkatërrues që ka lënë më shumë se dy mijë e viktima, mijëra të plagosur dhe dëme të konsiderueshme.

Në përbërje misionit janë 53 personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit si dhe 7 mjete janë nisur drejt Turqisë, ku do të marrin pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit, për të lehtësuar pasojat e kësaj tragjedie.

Ekipi që do të marrë pjesë në këtë mision solidariteti u përcoll në një ceremoni të veçantë nga Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili tha se ky është një kontribut që i kthehet Turqisë, e cila e ka ndihmuar Shqipërinë vazhdimisht edhe gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019.

“Turqia është një vend mik shumë i rëndësishëm për ne, që na ka mbështetur vazhdimisht. Kështu që në një farë mënyre ky është kthim i kontributit. Por, edhe nëse një fatkeqësi do t’i ndodhë një vendi tjetër, Shqipëria jonë e vogël do të tregojë se është gjithmonë e gatshme që kapacitetet e veta t’i verë në dispozicion, sepse në emergjencë apo solidaritet ne jemi tashmë pjesë edhe e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ku nuk jemi vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë. Unë ju falenderoj shumë për kontributin që do të jepni aty. Mirënjohje edhe në emër të qeverisë shqiptare, Kryeministrit dhe të ktheheni shëndoshë”, u shpreh Ministri Peleshi në ceremoninë e përcjelljes së ekipit shqiptar.

Pjesë e ceremonisë ishin edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjeneral brigade Arben Kingji, Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako si dhe komandantë forcash të FA.

Kujtojmë që Turqia iu përgjigj menjëherë thirrjes për ndihmë të Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, i cili la pas 51 viktima dhe qindra të plagosur.

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024