13 vite nga 21 janari, xhaxhai i Aleks Nikajt: Vendimi i Strasburgut pohon pretendimet tona. Topi në fushën e drejtësisë shqiptare

Nga A2 CNN
21 Janar 2024, 12:05 | Aktualitet

Xhaxhai i Aleks Nikës, protestuesi i vrarë më 21 janar të 13 viteve më parë, kërkon drejtësi nga SPAK-u për nipin e tij të vrarë në bulevard. Në fjalën e tij në ceremoninë përkujtimore, Mark Nika tha se vendimi i Strasburgut pohoi të gjitha pretendimet e tyre dhe i ktheu shpresën për drejtësi që fajtorët të dënohen.

“Bashkë më dëshpërimin të vrasjes së pazbardhur të djalit tonë Aleksit, ky përvjetor i 13-të vjen me një lajm të mirë e të shumëpritur. Ky lajm është vendimi i gjykatës së Strasburgut, i nëntorit të vitit të kaluar, që pohon të gjitha pretendimet tona. Pohon shmangien kriminale që është bërë hetimit të vrasjes së Aleksit. Më shumë se kaq vendimi i kësaj gjykatë demaskon hetimin farsë. Që drejtësia e trembur dhe e kapur duke lënë jashtë përgjegjësit e vrasjes së qytetarëve të pafajshëm”.

Sipas tij vrasja e 4 protestuesve në bulevard lindi e zbardhur para kamerave, ndërsa akuzoi ish-kryeministrin Berisha se fshehu dhe manipuloi provat

“Në emër të familjes Nika i shpreh falënderimet më të thella Strasburgut, na ktheu shpresën se do ketë drejtësi dhe fajtorët do dënohen. Vrasja e Aleksit dhe 3 protestuesve të tjerëve lindi e zbardhur, para kamerave. Ata ishin protestues paqësorë, të katërt u vranë kur protesta po shpërndahej larg hyrjes së kryeministrisë, kur nuk kishte arsye të përdorej dhuna dhe jo më të qëllohej në mish.  Asgjë tjetër veç një urdhri nga lart mund të çonte në hapjen e zjarrit mbi qytetarët në ato kushte. Këto 13 vite kanë qenë 13 vitet e manipulimit të drejtësisë, të fshehjes së krimit shtetëror, duke filluar nga nata e 21 janarit kur Berisha u dha kohë doracëve të prishin provat. Nga ky vit kemi shpresë e besim se 21 janari do të flasë me gjuhën e ligjit dhe drejtësisë. Vendimi i Strasburgut nuk është rekomandues, por i detyrueshëm për tu zbatuar. Topi është në fushën e drejtësisë së re shqiptare, shpresa dhe besimi në zemrat tona”.   

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni