300 shtëpi rezultojnë të përmbytura në bashkinë e Durrësit, 200 prej të cilave në zonën e ish-Kënetës. Të dhënat u bënë publike nga nënkryetari i Bashkisë së Durrësit Elio Jani, sipas të cilit janë 10 grupe në terren për vlerësimin e dëmeve.
“Situata sot është më e qetë se mbrëmë. Bashkia e Durrësit ka gjithë administratën në terren. Janë 10 grupe për vlerësimin e administrimin e dëmeve. Janë 300 shtëpi të përmbytura, 200 vetëm në zonën 6, rajoni ish-Kënetës, 100 të tjera në të gjithë Bashkinë e Durrësit. Me punën e ndërhyrjet që po bëjmë situata do të jetë më e qetë”.
Jani theksoi se zona më problematike është rajoni 6 i ish- Kënetës. “Do fillojmë tërheqjen e ujit me autobote”, tha ai.
Sipas tij reshjet e një dite më parë ishin të paparashikuara, ndërkohë që thekson se bashkia do të bëjë gjithçka për dëmshpërblimin e qytetarëve, sipas ligjit në fuqi.
“Reshjet e djeshme ishin të jashtëzakonshme. Nuk ishin parashikuar këto nivele reshjesh. Për fat të keq ndodhi. E rëndësishme është që nuk kemi humbje jete. Për dëmet që kanë pasur qytetarët, do të bëjmë ç’është e mundur sipas legjislacionit në fuqi. Po bëjmë ç’është e mundur që situata të normalizohet”.
(A2 Televizion)