Op-Ed: A2 CNN
Shqipëria ka hyrë më në fund në epokën e Inteligjencës Artificiale (IA). Ky është lajmi që vjen nga Tirana... një zhvillim që premton të zhbllokojë mundësitë ekonomike si për sektorin publik ashtu edhe për atë privat. Por mbi të gjitha, një teknologji që sipas kryeministrit Edi Rama do të hapë derën e anëtarësimit të shumëpritur dhe të shumëdëshiruar në Bashkimin Evropian (BE).
A ka të drejtë kryeministri të ndihet optimist?
Duke folur në Kongresin e PS-së javën e kaluar, Kryeministri Rama zbuloi se kishte zhvilluar një bisedë private me znj. Mira Murati, Shefe e Teknologjisë (CTO) në OpenAI, krijuese e ChatGPT. Qëllimi i bisedës duket se ka qenë kërkimi i ndihmës së kompanisë OpenAI për të përshpejtuar rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit për në BE.
Kryeministri Rama nuk gabon që kërkon të përdorë fuqinë transformuese të teknologjisë për të përfituar nga përparimet e fundit në fushën e Inteligjencës Artificiale. Në fakt, do të ishte neglizhencë politike dhe humbje e një shansi epokal nëse ai nuk do ta bënte. Fatkeqësisht, instinktet e zotit Rama në këtë rast, si në shumë raste të tjera, janë të gabuara, si nga këndvështrimi i tij i keqinformuar dhe dritëshkurtër për atë që teknologjia mund të bëjë, ashtu edhe nga keqkarakterizimi i tij për atë që pengon anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Inteligjenca artificiale, përgjithësisht e përcaktuar si "aftësia e një kompjuteri ose e një roboti të kontrolluar nga kompjuteri për të kryer veprime që zakonisht lidhen me qeniet inteligjente", ka bërë përparime të rëndësishme vitet e fundit. Sistemet e IA-së kanë treguar se kanë aftësinë për të mësuar, arsyetuar, dhe për të ndërmarrë veprime në dukje të pavarura, duke imituar kështu inteligjencën njerëzore.
Lajmi i mirë është se përparimet e fundit në përpunimin e natyrshëm të gjuhës (natural language processing-NLP), një degë e IA-së që merret me aftësimin e kompjuterëve për të kuptuar, interpretuar, dhe gjeneruar gjuhën njerëzore dhe që përdoret në aplikacione të tilla si chatbots, asistentët virtualë, dhe përkthime, mund të ndihmojnë disa aspekte të adoptimit nga ana e një vendi kandidat të ligjit, ose të ashtuquajturit acquis communautaire, të BE-së.
IA mund të ndihmojë në procesin e përkthimit të ligjit të BE-së dhe interpretimit të tij. Ajo gjithashtu mund të identifikojë fushat ku një vend kandidat ka nevojë për të ndërmarrë reforma të menjëhershme, dhe përcakton hapat e nevojshëm për t'i përmbushur ato. Madje, IA mund të ofrojë trajnime për zyrtarët e një vendi kandidat mbi kërkesat e nevojshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Lajmi i keq është se modelet e mëdha gjuhësore (large language models-LLM), si ChatGPT, kanë vuajtur nga një sërë problemesh sistematike, duke përfshirë fabrikimin dhe krijimin e informacioneve të rreme, si edhe dhënien e përgjigjeve të pasakta. Ekziston rreziku, pra, që duke pasur parasysh kompleksitetin e acquis communautaire të BE-së, ChatGPT ka më shumë gjasa sesa jo të zgjasë procesin e anëtarësimit, pasi zyrtarët qeveritarë mund të ndjekin verbërisht udhëzimet dhe informacionin e gabuara të dhënë nga IA.
Megjithatë, këto shqetësime zbehen në krahasim me çështjet që kanë të bëjnë me privatësinë e të dhënave. Çdo e dhënë që i jepet ChatGPT, duke përfshirë udhëzimet e përdoruesit, dokumentet qeveritare, informacione të privilegjuara, të dhënat konfidenciale të qytetarëve, të dhëna të cilat do të jenë domosdoshmërisht pjesë e procesit të bashkëpunimit me ChatGPT bëhen pjesë e bazës së të dhënave të ChatGPT. Këto të dhëna më pas përdoren për ta trajnuar atë dhe mund t'u zbulohen përdoruesve të tjerë, duke shkaktuar kështu rrjedhjen e sekreteve shtetërore si edhe ekspozimin e nënshtetasve të saj ndaj vjedhësve të identitetit.
Për më tepër, vetë politika e privatësisë së OpenAI e bën të qartë se "ajo mbledh adresën IP të përdoruesve, llojin dhe cilësimet e shfletuesit, si dhe të dhëna për ndërveprimet e përdoruesve me [ChatGPT]... Ajo gjithashtu mbledh informacion në lidhje me aktivitetet e shfletimit të përdoruesve nëpër faqet e internetit," duke i hapur kështu mundësisë së krimit kibernetik nga palë të treta.
Kjo është arsyeja pse, ndërsa zoti Rama premtonte të çlirojë fuqinë e IA-së për të përshpejtuar anëtarësimin e Shqipërisë në BE, presidenca e Këshillit të BE-së dhe përfaqësuesit e Parlamentit Evropian u angazhuan në negociata të tejzgjatura për tre ditë për të “siguruar që sistemet e IA-së të vendosura në tregun evropian dhe të përdorura në BE janë të sigurta dhe respektojnë të drejtat themelore dhe vlerat e BE-së.”
Ka një mesazh dhe paralajmërim të rëndësishëm këtu për zyrtarët shqiptarë, një mesazh që tregon si nevojën për të shkuar përtej vizionit dritëshkurtër të z. Rama i cili fatkeqësisht kënaqet duke luajtur në bregun e cekët sepse nuk ka guximin apo edhe imagjinatën të notoj në thellësitë oqeanike teknologjike që premtojnë kaq shumë, si dhe detyrimin që ata kanë për të parashikuar dhe parandaluar efektet anësore të përqafimit të një teknologjie, e cila mund ta ekspozojë vendin ndaj paqëndrueshmërisë sociale, ekonomike, dhe politike.
E vërteta është se përpunimi i natyrshëm i gjuhës (NLP) mbi të cilën bazohet teknologjia e ChatGPT është vetëm një nga shumë degët e IA-së. Të tjerat përfshijnë të nxënit automatik (machine learning), sistemet eksperte (expert systems), robotikën, logjikën e mjegullt (fuzzy logic), vizionin kompjuterik, etj. Secila prej këtyre degëve ofron sfidat, pengesat, si edhe mundësitë përkatëse, të cilat mund të shfrytëzohen dhe kërkojnë një qasje të mirëmenduar në lidhje me kuadrin rregullator brenda të cilit ato veprojnë.
Që të ndodhë kjo, vendi duhet të merret në fillim me sfidat në arsim, infrastrukturë, ligjin e pronësisë intelektuale, reformën administrative, politikën e konkurrencës, transparencën, mbrojtjen e konsumatorëve, stabilitetin institucional, dhe një sërë fushash të tjera. Thënë ndryshe, Shqipëria duhet të marrë seriozisht reformat e parashikuara në 35 kapitujt e ligjit të BE-së.
Dhe ky është thelbi i keqtrajtimit dhe keqkarakterizimit të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE nga zoti Rama, i cili si gjithmonë përqendrohet tek fasada apo forma dhe jo tek përmbajtja e reformës.
Zoti Rama ka të drejtë: Inteligjenca Artificiale dhe anëtarësimi në BE janë të ndërlidhura. Por jo në mënyrën si ai sugjeron. Rruga drejt anëtarësimit në BE është një proces përmbajtësor dhe politik, i cili nuk shpërblen aftësinë e vendit kandidat për të miratuar artificialisht dhe në mënyrë të pavetëdijshme ligjet e BE-së, por që kërkon përbrendësimin e atyre ligjeve. Ky është misioni dhe mandati që cdo qeveri shqiptare duhet të marrë përsipër.
Fatmirësisht, duke adresuar simptomat e identifikuara gjatë procesit të rrugëtimit drejt BE-së dhe duke marrë seriozisht përbrendësimin e vlerave dhe të ligjeve të saj, Shqipëria vetvetiu përgatitet dhe bëhet më e aftë të përdorë fuqinë transformuese të IA në përputhje me vlerat e BE-së. Atëherë, nëse rruga drejt tokës së premtuar të IA-së na detyron të kalojmë nëpërmjet kalvarit të acquis communautaire, atëherë ndoshta është e vërtetë që inteligjenca artificiale do ta ndihmojë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.
Medlir Mema (Ph.D) është Drejtues i Programit për Inteligjencen Artificiale dhe Qeverisje Globale në Institutin e Qeverisjes Globale në Bruksel. Moderator i podcast-it "Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Epokën e IA-së", ai është gjithashtu profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara. (A2 Televizion)