Amnistia në burgje, lirohen 780 të dënuar, 800 të tjerë ulje dënimi

Nga Julian Kasapi
24 Prill 2024, 16:39 | Aktualitet

Në ditën e amnistisë penale, jashtë dyerve të burgut të Rrogozhinës ishin mbledhur me qindra familjarë për të pritur të afërmit e tyre, tashmë të lirë.

Kishte dhe nga ata të dënuar që në dalje, por edhe nga gëzimi nuk harruan të përshëndesnin shokët e qelisë

Burgu i sigurisë së zakonshme në Rrogozhinë kishte dhe numrin më të lartë të lirimeve, plot 183 të dënuar. Kryesisht për vepra të lehta që parashikojnë deri në 4 vite heqje lirie ndërsa burgu u vizitua dhe nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i cili kishte një mesazh për të gjithë të dënuarit që u liruan.

“Uroj t'i kthehen jetës së përditshme, t’i kthehen punës së ndershme dhe të mos e kthejnë më kokën pas. Kthejuni jetës normale se mbi çdo gjë është familja, por edhe shoqëria jonë, që për këtë gabim që kanë bërë kemi paguar për ta”, tha Manja.

Ministri iu përgjigj edhe njëherë akuzave të Partisë Demokratike, duke thënë se asnjë zyrtar i lartë i dënuar nga GJKKO nuk ka përfituar ndërsa shtoi se amnistia i kursen buxhetit të shtetit rreth 30 mln euro.

“Asnjë zyrtar i lartë që gjendet duke vuajtur dënimin për shkak se është dënuar nga GJKKO apo se është në proces hetimi apo gjykimi nuk përfiton nga kjo amnisti. Me ulje dënimi janë një numër sa gishtat e një dore, nëpunës të thjeshtë që përfitojnë nga amnistia me ulje dënimi dhe lirohen me ulje dënimi. Nga amnistia zyrtarë të lartë nuk ka”, shtoi Manja.

Në total u liruan 780 të dënuar ndërsa 800 të tjerë përfituan ulje dënimi. Në total janë 15 gra dhe tre të mitur që lanë sot qelitë e burgut.

Nga amnistia përfitojnë dhe 2662 persona të cilët janë në shërbim prove. Por ministri shtoi se shifra mund të ndryshojë për shkak edhe të përfundimit të procedurave në komisariatet e vendit. 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli