Balla “ngre” dronët nga Kuçova, zbulon për çfarë do të kontrollojnë të gjithë territorin

Nga A2 CNN
20 Maj 2024, 17:01 | Aktualitet

Policia e Shtetit dhe IKMT do të kenë në prej sot në dispozicion avionët pa pilot për kontrollin e territorit kundër kultivimit të bimëve narkotike, krimeve mjedisore në pyje, lumenj, ndërtime pa leje, për luftën kundër kalimit të paligjshëm të kufirit, evidentimin e mjeteve lundruese në det, kontrollin dhe monitorimin e trafikut apo incidenteve rrugore edhe nga ajri, si dhe ndjekjen e mjeteve personave në rast të ngjarje kriminale.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ishte sot në Bazën Ajrore në Kuçovë ku pa nga afër avionët pa pilot të Forcës Ajrore. Ai tha se Policia e Shtetit dhe IKMT do të kenë prej sot mundësinë e kontrollit në kohë reale të gjithë territorit dhe kufirit nga ajri.

“Kapaciteti i ri i Forcave Ajrore, sikurse është rënë dakord, do të përdoret edhe nga agjencitë e tjera ligjzbatuese, qoftë Policia e Shtetit, qoftë IKMT, që kanë depozituar pranë Shtabit të Përgjithshëm të FA, kërkesat specifike për përdorimin e tyre. Synimi është një kontroll më i mirë i territorit dhe nga ajri. Policia e Shtetit nevojën e ka kryesisht për monitorimin nga ajri të territorit lidhur me aktivitete apo fenomene sikurse është p.sh. kultivimi i kanabisit. Na nevojitet një koordinim mes tokës dhe ajrit për të kontrolluar sa më mirë territorin,” nënvizoi Ministri Balla.

Më tej, ai u ndal në reagimin shumë më të shpejtë në kohë, përmes avionëve pa pilot, lidhur me nevojat e policisë.

“Përmes këtij avioni pa pilot ne mund të zëvendësojmë fare mirë kontrollin nga ajri që dikur është bërë me helikopter. Procedura e futjes në veprim të avionëve pa pilot është shumë më e shpejtë sesa ajo që ishte për helikopterët. Këto beteja fitohen kur ti kursen kohë,” theksoi ministri.

Duke folur rreth mundësive të tjera të përdorimit për qëllime civile, Balla nënvizoi se “aktualisht qëllimi ynë është sezoni turistik. Na duhet të kontrollojmë përgjatë gjithë bregdetit të gjitha fenomenet, depozitimet e mbetjeve dhe çdo problematikë tjetër, se nuk janë vetëm ndërtimet pa leje, por edhe krimet mjedisore, dëmtimi i pyjeve etj..”

Sa i përket aspekteve ligjore e procedura të përdorimit të këtij mjeti të sofistikuar teknologjik në dispozicion të Forcave të Armatosura, Ministri i Brendshëm sqaroi se “brenda kësaj jave mund të dalë vendimi i qeverisë, por jemi dakordësuar me Ministrin Peleshi që të nisim tashmë nga puna, sepse është edhe porosi e Kryeministrit Rama që këtë kapacitet teknologjik shumë të rëndësishëm ta vendosim sa më shpejt në funksion, me qëllim për përdorimin në problematike të natyrës civile.”

Balla tha gjithashtu se “sot është misioni i parë, pra kemi filluar punën dhe ndaj keqbërësve sot japim një mesazh të qartë që Republika e Shqipërisë ka një kontroll të territorit në të gjithë dimensionet, përfshirë edhe nga ajri.”

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Debat nga Alba Alishani