Beqaj pas daljes nga SPAK, mohon lidhjet me kompanitë farmaceutike: Jam i hapur ndaj drejtësisë

Nga A2 CNN
29 Dhjetor 2023, 15:30 | Aktualitet

Beqaj pas daljes nga SPAK, mohon lidhjet me kompanitë farmaceutike: Jam i

“Në kohën që kam qenë ministër dhe sot nuk kam patur dhe nuk kam asnjë interes ekonomik e financiar me kompanitë farmaceutike në Shqipëri, apo pronarët e tyre”. Kështu u shpreh ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, pas daljes nga SPAK, ku si çdo të premte paraqitet para hetuesve. Ai mohoi të ketë lidhje me kompanitë farmaceutike dhe u shpreh i hapur ndaj drejtësisë, teksa foli edhe për kontrollin e djeshëm në shtëpinë e tij.

“Së pari ministri nuk menaxhon fondet huaja, nuk bën tendera, koordinon financimet e huaja ëpr qeverinë. Në kohën që kam qenë ministër dhe sot nuk kam patur dhe nuk kam asnjë interes ekonomik e financiar me kompanitë farmaceutike në Shqipëri, apo pronarët e tyre unë prej vitesh po përballem me këto çështje dhe jam i hapur ndaj drejtësisë. Edhe dje u bë një kontroll në shtëpinë dhe nuk ishte e nevojshme të thërrisja avokatin. Unë si çdo të premte paraqitem para hetuesve me një procedurë të thjeshtë për çështjen e sterilizimit. Ende pres të shoh kush është faji që kam bërë, por pres vendimin e gjykatës. Ata që bënë kontrollin më treguan një vendim gjykate në procesin e një hetimi që bëhet ndaj një personi tjetër”.

Në një komunikim me gazetarët para SPAK, avokati i Beqajt, Ermal Yzeiraj, konfirmoi se gjatë kontrollit të djeshëm agjentet e BKH i kanë sekuestruar aparatin celular ish-ministrit, si edhe USB e pajisje elektronike dhe dokumente shkresore. Po sipas avokatit, emri i Beqajt nuk është regjistruar si person nën hetim në këtë çështje. "Vendimi gjyqësor që lejonte kontrollin e banesës ishte për një person tjetër, emrin e të cilit nuk mund ta them për shkak të sekretit", tha avokati Yzeiraj.

Prej ditës së djeshme, Byroja Kombëtare e Hetimit, e mbështetur nga Policia e Shtetit, është duke zhvilluar kontrolle në disa depo farmaceutike dhe farmaci në kryeqytet.

Burime pranë SPAK bëjnë me dije se kontrollet janë për llogari të një hetimi mbi marrëdhëniet kontraktore të subjekteve farmaceutike me Ministrinë e Shëndetësisë, gjatë kohës që ky dikaster drejtohej nga Ilir Beqaj.

Nga kontrollet në këto subjekte, agjentët e BKH-së kanë sekuestruar dokumente shkresore, si edhe pajisje elektronike. Ndërkohë, ish-ministri i drejtësisë po hetohet, lidhur me koncesionin për sterilizimin mjekësor nën akuzën e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim. Ndaj tij, SPAK ka vendosur detyrim paraqitje dhe sot u zhvillua seanca e radhës kur ai duhet të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos