Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka zbritur në terren në zonën e Xibrit në qarkun e Dibrës për të parë nga afër përpjekjet për hapjen për qarkullim të Rrugës së Arbrit, e cila është bllokuar prej disa orësh për shkak të reshjeve të dendura të borës.
Për Ballukun, reshjet e borës do të vijojnë me intensitet dhe për disa orë të tjera, teksa informoi se në Dibër shumë zona janë pa energji, por me ndalimin e stuhisë, grupet e punës do të dalin në terren për të rikthyer furnizimin.
Balluku përsëriti thirrjen drejtuar qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të përdorin gomat e dimrit dhe zinxhirët në ato akse ku situata paraqitet e rënduar nga bora.
“Sipas të dhënave nga Autoritetit i Avioacinit Civil. Kjo stuhi do të vijojë dhe disa orë dhe më pas do kemi mundësi të punojmë për pastrimin e borës. Në Shkallët e Tujanit rruga është momentalisht e bllokuar. Janë 24 fiderë me avari, po presim një ulje të stuhisë, pasi nuk mund të rrezikojmë jetën e punonjësve, por do punojmë për rikthimin e energjisë. Qytetarët të tregojnë kujdes”, tha Balluku. (A2 Televizion)