Buxheti për arsimin në 2024-n, Manastirliu paralajmëron rritje pagash për mbi 30 mijë mësues

Nga A2 CNN
8 Nëntor 2023, 17:50 | Aktualitet

Buxheti për arsimin në 2024-n, Manastirliu paralajmëron rritje

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu ka prezantuar në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, projektligjin “Për Buxhetin e Vitit 2024” për arsimin dhe sportin, i cili parashikohet të arrijë në vlerën e 52 miliardë e 223 milionë lekëve.

Gjatë prezantimit, Manastirliu e konsideroi shtesën prej 5 miliardë e 49 milionë lekëve në buxhetin fillestar si një rritje historike prej 10.7 përqind.

“Ky është buxheti më i lartë historik për arsimin, i cili mbështet politikën e rritjes së pagave për mësuesit, rritjen e investimeve në infrastrukturën arsimore dhe atë digjitale në shkolla, zgjeron financimin për programet e arsimit të lartë, programet e ndërkombëtarizimit dhe kërkimit shkencor dhe siguron mbështetjen e studentëve. Buxheti 2024 do të mbështesë sportin duke investuar në disiplinat sportive në shkolla, programet e masivizimit të sportit dhe sportit elitar”, tha Manastirliu.

Manastirliu theksoi se në buxhetin e vitit të ardhshëm parashikohet një rritje page për mësuesit, si dhe për punonjësit psiko-socialë dhe oficerët e sigurisë në shkolla.

“Buxheti 2024 do të mbështesë rritjen e pagave mbi 30 mijë mësues në shërbim të rreth 300 mijë nxënësve që ndjekin arsimin publik dhe 1,700 mësuesve ndihmës, në mbështetje të fëmijëve me aftësi të veçanta, për rritjen e nivelit të tyre akademik, ndërkohë që është parashikuar që ky numër të shtohet me 100 punonjës të rinj. Gjithashtu do të garantohet mbështetje për 850 punonjës psiko-socialë dhe 220 punonjës oficerë sigurie në shkolla”, tha ministrja.

Ndër të tjera, ministrja theksoi se me buxhetin e ri, librat e shkollës do të jepen falas për 231 mijë nxënësit nga klasa e I – 9, si dhe për rreth 18 mijë nxënës nga shtresat sociale në nevojë që ndjekin arsimin e mesëm të lartë. Buxheti 2024 do të sigurojë transportin falas gjatë vitit për mbi 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues. Buxheti 2024 do të mbështesë rreth 3,600 nxënës të arsimit parauniversitar nga shtresat sociale në nevojë.

Manastirliu tha se investimet do të vijojnë intesivisht në objekte shkollore dhe brenda ciklit të 2023-2024 do të përmbyllen investimet ne 30 shkolla të reja. Sipas saj, me buxhetin 2024 do të sigurohet mbështetja me bursa për rreth 3,600 nxënës të familjeve në nevojë që ndjekin arsimin parauniversitar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos