DASH konfirmon për A2 vizitën e Blinken në Tiranë, zbulohet agjenda e Sekretarit Amerikan të Shtetit

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2024, 16:37 | Aktualitet

Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar për A2 CNN, vizitën e Sekretarit Amerikan, Antony Blinken në Tiranë. Blinken do të vizitojë Europën nga 14 deri më 17 shkurt dhe pritet që të ndalojë në Tiranë dhe në Mynih. 

Siç bëhet e ditur, në Tiranë, Sekretari Amerikan i Shtetit pritet të riafrimojë "lidhjet e forta të partneritetit SHBA-Shqipëri. Në deklaratën e lëshuar në përgjigje të interesit të shprehur nga gazetari i A2, Xhevahir Qardaku, rreth vizitës së Sekretarit, DASH e cilëson Shqipërinë si një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor por edhe një aleat të fuqishëm në mbrojtjen e sovranitetit të Ukrainës. 

Ndërsa, në Mynih, Blinken do të marrë pjesë në në Konferencën e Sigurisë së Mynihut si pjesë e delegacionit të SHBA-së.

Përgjigja nga Departamenti Amerikan i Shtetit për A2 CNN

"Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken do të udhëtojë në Tiranë, Shqipëri dhe Mynih, Gjermani, nga 14-17 shkurt. Në Tiranë, Sekretari Blinken do të riafirmojë ngushtësinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i fortë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Në Mynih, Sekretari Blinken do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut si pjesë e delegacionit të SHBA-së të kryesuar nga Zëvendës Presidentja Kamala Harris. Sekretari do të zhvillojë takime dypalëshe për të nënvizuar mbështetjen e qëndrueshme të Shteteve të Bashkuara për popullin e Ukrainës, për të vazhduar diskutimet me partnerët se si mund të arrihet paqja dhe siguria e qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe për të theksuar angazhimin tonë të palëkundur për sigurinë transatlantike. Sekretari Blinken do t'i bashkohet gjithashtu partnerëve ndërkombëtarë në një forum publik mbi multilateralizmin." (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos