Dita e gruas në detari, Dorela, studentja e navigimit detar që po thyen tabutë

Nga Gazmend Janku dhe Elitjona Doko
18 Maj 2024, 11:04 | Aktualitet

Për të fuqizuar rolin e gruas ne industrinë detare, organizata ndërkombëtare e detarisë prej 3 vitesh celebron 18 majin si ditën e gruas në detari. Tashmë ky sektor edhe në vendin tonë po fillon te preferohet nga vajzat të cilat kanë nisur studimet në universitetin e Durrësit. 

Dorela Mema është studente e Navigacionit dhe Sigurisë Detare, një profil i etiketuar masivisht si mashkullor, por që sot këto "tabu" duket se po hidhen pas.

“Ishte një këshillë që mora nga një mikeshë e motrës time, pasi kishte finalizuar studimet këtu për të njëjtën degë dhe ma këshilloi dhe mendova ta shohësh detin jo nga këndvështrimi poetik por nga një këndvështrim tjetër. Është pengesë për femra sa i përket familjes, por kur ke mirëkuptimin ose dikë që të kupton, nuk do të jetë asnjëherë pengesë”.

Degët e detarisë po preferohen gjithnjë e më shumë nga të rinjtë, por nëse kjo ndodh për t’u investuar në vendin tonë apo jashtë tij, Dorela ka këtë përgjigje.

“Mendoj se jo gjithmonë alternativa për të ikur jashtë është alternativë e mirë, pasi edhe vendi ynë ka premisa e projekte që do të realizojë dhe pse të mos vendosësh aftësitë e tua në punën këtu”.

Por cila është ëndrra e Dorelës në sektorin detar?

“Nuk do ishte keq që një eksperiencë të mirë ta fitoja duke qenë pjesë e lundrimit, qoftë si kapitene apo si pjesë ekuipazhit turistik ose ekonomik”.

Dorela dhe shumë vajza të tjera sot janë shembull pozitiv se gjinia nuk të diferencon më profesionalisht, nëse ekziston pasioni dhe dashuria për profesionin e së ardhmes.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi