Një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese i hapi rrugë marrëveshjes së miratuar nga Parlamenti të arritur mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare për sa i përket emigrantëve të ardhur nga vendet e Afrikës.
Për këtë çështje u diskutua në Ditarin e pasdites nga Bruna Çifligu në A2 CNN, ku të ftuar ishin juristi nga PD, Franc Nuri dhe Elona Gjebrea, ish-zëvendësministre e Brendshme.
Juristi u shpreh se kjo marrëveshje do të krijojë dy enklava në territorin shqiptar, ku autoritetet tona nuk do të ketë asnjë të drejtë. Ai theksoi se kjo çështje ka pasur një debat të jashtëzakonshëm në Kushtetuese, duke qenë se votimi ishte 5 vota pro dhe 4 vota kundër marrëveshje.
“Në lidhje me kërkesën e opozitës, ne pretendojmë se nuk janë zbatuar rregullat dhe procedurat në Shqipëri. Protokolli e ka mjaft të qartë se dy zonat që i jepen në përdorim palës italiane pa kundërshpërblim, në këto dy zona nuk do të zbatohet ligji shqiptar. Këtu cenohet sovraniteti. Pala shqiptare ka detyra vetëm jashtë zonës. Madje edhe ndërtimi nuk do të bëhet me leje ndërtimi sipas legjislacionit shqiptar. Pala italiane do të ketë përjashtim nga rregullat e taksimit, doganore, përjashtim nga rregullat e kodit të punës dhe më e rëndësishmja, pala italiane do të përjashtohet nga tatimi. Detyrat e palës shqiptare janë vetëm nëse do të ketë dalje nga kampi, pala shqiptare do t’i kapin dhe do t’i rikthejnë në kamp. Për të ndërhyrë brenda kampeve, autoritetet shqiptare duhet të marrin leje te pala italiane. Do të jetë si një ambasadë, ose dy enklava. Ka pasur një debat të jashtëzakonshëm në Kushtetuese sepse është luajtur vetëm me një votë”, tha Nuri.
Ndërkohë, Elona Gjebrea, ish-zëvendësministre e Brendshme, u shpreh se Gjykata Kushtetuese qartësoi shumë pikëpyetje të ngritura, por thekson se qeveria në vazhdim duhet të jetë më transparente mbi marrëveshjen dhe zbatimin e saj.
“Tashmë, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese jemi të qartë për kundërshtitë që pati opozita për këtë çështje. Gjykata e thotë se marrëveshja nuk është antikushtetuese sepse nuk krijon të drejta dhe liri të reja kushtetuese përtej atyre të parashikuara nga rendi juridik. Po ashtu, nuk ndryshon integritetin territorial të Shqipërisë, që në fakt ishte i nevojshëm një sqarim profesional në të gjithë atë situatë jo të qartë për këtë marrëveshje. Kishte disa elemente që kërkonin sqarim dhe kishte hezitim. Tashmë është e nevojshme që te kemi nga qeveria detaje konkrete për sa i përket kësaj marrëveshje dhe sesi do të ndodhë procesi i akomodimit. (A2 Televizion)