Lufta ndaj korrupsionit, raporti i TI: Shqipëria më poshtë se Kosova, përparimi varet nga mbikëqyrja efektive ndaj ekzekutivit

Nga A2 CNN
30 Janar 2024, 08:02 | Aktualitet

Lufta ndaj korrupsionit, raporti i TI: Shqipëria më poshtë se

Shqipëria u vlerësua në vitin 2023 me një pikë më shumë se vitin e mëparshëm në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, duke shënuar 37 pikë dhe duke u radhitur në vendin e 98-të mes 180 vendeve. Është ky vlerësimi i organizatës Transparency International, i publikuar një ditë më parë, mbi Indeksin e përvitshëm të Perceptimit të Korrupsionit dhe raportin për gjendjen e korrupsionit në botë.

Në raport thuhet se Shqipëria po shënon përmirësim në drejtim të hetimit dhe ndjekjes penale të korrupsionit në nivel të lartë, duke iu referuar punës së SPAK-ut.

“Por përparimi i mëtejshëm në këtë drejtim varet nga zbatimi i mëtejshëm i legjislacionit të drejtësisë penale dhe sigurimi i mbikëqyrjes efektive ndaj degës ekzekutive”, thuhet në raport.

Sipas Transparency International vendimi për krijimin e një ministrie të re ngarkuar me luftën kundër korrupsionit shoqërohet me pritshmërinë për mekanizma efektive të integritetit.

“Megjithatë, kjo nuk mund të arrihet nëse parlamenti nuk ka autonomi më të fortë dhe nëse organizatat e shoqërisë civile dhe mediat nuk mund të kryejnë rolin e tyre mbikëqyrës pa pengesa nga autoritetet”, thuhet më tej në raportin e Transparency International.

Në vitin 2022, Shqipëria ishte radhitur në vendin e 101. Që nga viti 2012, Shqipëria është përmirësuar me 4 pikë.

Rajoni i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore ku bën pjesë Shqipëria ka rezultate shqetësuese me një mesatare prej 35 pikësh nga maksimumi prej 100 pikësh, i dyti me rezultatin më të dobët pas Afrikës Nën Sahariane.

“Hapat mbrapa në demokraci dhe dobësimi i sistemeve të drejtësisë, që janë mjaft të përhapura, po minojnë kontrollin ndaj korrupsionit, ndërsa institucionet si policia, prokuroria dhe gjykatat shpesh nuk janë në gjendje të hetojnë dhe ndëshkojë ata që abuzojnë me pushtetin”, thuhet në raport.

Mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria radhitet më poshtë sesa Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndërsa ka respektivisht një pikë më shumë se Serbia dhe dy më shumë se Bosnja.

Në këtë nëngrup bëjnë pjesë Ukraina dhe Rusia dhe raporti thotë se lufta dhe inflacioni kanë rritur nivelet e varfërisë dhe për këtë arsye është thelbësore që udhëheqësit të veprojnë për të mirën e përbashkët.

Këtë vit, sipas organizatës shumica e vendeve kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik.

Danimarka kryeson indeksin për nivelin më të ulët të korrupsionit për të gjashtin vit radhazi me 90 pikë, pasuar nga Finlanda dhe Zelanda e Re, me 87 dhe 85 pikë respektivisht.

Somalia me 11 pikë, Venezuela me 13 pikë, Siria me 13 pikë, Sudani i Jugut me 13 pikë dhe Jemeni me 16 pikë, zënë vendet e fundit në Indeks.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos