Gjykata Kushtetuese zbardh arsyetimin se pse miratoi marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët

Nga A2 CNN
29 Janar 2024, 16:49 | Aktualitet

Gjykata Kushtetuese zbardh arsyetimin se pse miratoi marrëveshjen

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin që i dha dritën jeshile marrëveshjes Shqipëri-Itali për emigrantët, vendim, i arritur me shumicë votash, por jo në unanimitet.

Marrëveshja e firmosur mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për strehimin e një numri refugjatësh në Lezhë, u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga 30 deputetë të opozitës, mes të cilëve Sali Berisha e Gazment Bardhi, të cilët pretendojnë se marrëveshja Rama-Meloni shkel Kushtetutën.

“Së pari, ajo vlerësoi se Protokolli për Migracionin nuk cakton kufij territorialë dhe as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, ndaj ai nuk përbën marrëveshje që ka të bëjë me territorin në aspektin fizik.

Së dyti, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se në dy zonat, që vepron Protokolli për Migracionin, zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane. Ajo konstatoi se e drejta ndërkombëtare e detyrueshme për Republikën e Shqipërisë, që lidhet me çështjet e migracionit dhe azilit është po ashtu e zbatueshme edhe nga autoritetet italiane për shkak të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare edhe prej Republikës së Italisë. Nën këtë analizë, Gjykata nuk vuri në dyshim ekzistencën e përgjegjësisë së shtetit shqiptar për çështjet që rregullon Protokolli për Migracionin, e cila buron jo vetëm nga normat kushtetuese, por edhe nga e drejta ndërkombëtare që rregullon përgjegjësinë e shteteve në kuadër të zbatimit ekstraterritorial të saj. Në këtë pikëpamje, Gjykata Kushtetuese konstatoi se për të drejtat dhe liritë e njeriut vepron një juridiksion i dyfishtë, që do të thotë juridiksioni italian në dy zonat në fjalë nuk përjashton juridiksionin shqiptar.

Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese arriti edhe në përfundimin tjetër se Protokolli për Migracionin nuk përfshihet në kategorinë e marrëveshjeve ndërkombëtare të parashikuara në shkronjën b) të pikës 1 të nenit 121 të Kushtetutës sepse në thelb, ai nuk krijon të drejta dhe liri të reja kushtetuese dhe as nuk sjell kufizime shtesë në të drejtat dhe liritë ekzistuese të njeriut, përtej atyre që parashikohen nga rendi juridik shqiptar.

Duke patur parasysh që nga njëra anë çështja kushtetuese në shqyrtim përbën risi në jurisprudencën shqiptare, në veçanti për konceptin e marrëveshjes ndërkombëtare në drejtim të aspektit juridiksional të lidhur me sovranitetin, dhe nga ana tjetër Protokolli për Migracionin në asnjë dispozitë të tij nuk shprehet se Qeveria Shqiptare zhvishet nga ushtrimi i juridiksionit mbi territorin shqiptar, Gjykata analizoi nëse Qeveria Shqiptare kishte plotfuqitë e duhura për negociimin dhe nënshkrimin e Protokollit në fjalë. Në këtë drejtim, Gjykata vlerësoi se Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, të vitit 1995 përbën një marrëveshje ndërkombëtare kuadër që sipas nenit 180 të Kushtetutës konsiderohet e ratifikuar sipas Kushtetutës dhe përbën bazë të mjaftueshme që Protokolli për Migracionin të negociohej me autorizim të Kryeministrit dhe plotfuqi të lëshuara nga Ministri i Punëve të Jashtme, si dhe të nënshkruhej prej vetë Kryeministrit.”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Kushtetueses.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Në bazë të nenit 52/a, pika 2 të ligjit organik vendimi përfundimtar i njoftohet Presidentit, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave dhe dërgohet për publikim në Fletoren Zyrtare. Vendimi përfundimtar hyn në fuqi me publikimin e tij në Fletoren Zyrtare dhe me hyrjen në fuqi, masa e pezullimit, bie automatikisht.

Kujtojmë gjithashtu se, vetëm disa ditë më parë, Dhoma e deputetëve të Parlamentit italian miratoi me 155 vota pro dhe 115 kundër (2 abstenime) projektligjin për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos