Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për miratimin e marrëveshjes Rama – Meloni për emigrantët, pas shqyrtimin të ankesës së bërë nga 30 deputetë të opozitës për ta rrëzuar këtë marrëveshje, ka ardhur reagimi i Kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, i cili shprehet se nuk ka asnjë surprizë.
Bardhi thekson se mohimi i transparencës dhe mbi të gjitha shmangia e mundësisë për një opinion këshillimor nga GJEDNJ janë tregues i qartë që Gjykata Kushtetuese humbi që në nisje mundësinë për të bërë drejtësi në këtë çështje.
Ai shton se kjo marrëveshje me Italinë cënon sigurinë dhe interesin publik, si dhe shkel në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut dhe konventat ndërkombëtare në këtë fushë.
“Asnjë surprizë nga “Vali Bizhgat në Gjykatën Kushtetuese”! Mohimi i transparencës dhe mbi të gjitha shmangia e mundësisë për një opinion këshillimor nga GJEDNJ janë tregues i qartë që GjK humbi që në nisje mundësinë për të bërë drejtësi në këtë çështje. Marrëveshja me Italinë cenon sigurinë e interesin publik, si dhe shkel në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut dhe konventat ndërkombëtare në këtë fushë, siç Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në KiE dhe organizatat prestigjioze ndërkombëtare janë shprehur!”, shkruan Bardhi.
Kujtojmë se marrëveshja e firmosur në Romë në 6 nëntor të vitit të kaluar, mes kryeministrave të të dy vendeve, përfshin emigrantët që nisen nga Afrika e Veriut dhe kapen në det nga anijet italiane.
Ajo parashikon ngritjen e një pike në Shëngjin ku do të kryhen procedurat e verifikimit të emigrantëve dhe një qendre në Gjadër, ku ata do të mbahen të izoluar, deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit. Përgjegjësia mbi çdo veprimtari do të jetë e Italisë, së cilës i njihet dhe juridiksioni i plotë mbi qendrën e pritjes. (A2 Televizion)