
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bërë të ditur se analizat e kryera pas dyshimeve për helmim e kursantëve pranë Akademisë së Sigurisë në Sauk kanë rezultuar brenda normave të lejuara.
Sipas AKU-së, më datë 25 qershor 2026 janë marrë 14 mostra nga vaktet e drekës dhe darkës në Garnizonin “Skënderbej” në Tiranë, si dhe 5 mostra tamponë për kontrollin e higjienës së ambienteve dhe pajisjeve.
Nga analizimi i 33 mostrave në total nga Laboratori i Referencës në ISUV, rezultoi se treguesit mikrobiologjikë ishin brenda normave.
AKU bëri me dije gjithashtu se subjekti “Sori-Al”, ndaj të cilit ishte vendosur masë ndërprerjeje aktiviteti, ka kryer analiza autokontrolli për tamponët ambientalë, pajisjet dhe punonjësit, të cilat kanë rezultuar konform kërkesave ligjore.
Pas njoftimit për rezultatet e analizave të vetëkontrollit, më 10 korrik 2026 AKU ka kryer një tjetër inspektim në ambientet e Akademisë së Forcave të Armatosura, Garnizoni “Skënderbej”, ku janë marrë edhe 3 mostra të tjera tamponësh ambientalë për analizim në ISUV. Edhe këto rezultate kanë rezultuar konforme.
Në përfundim të kontrolleve, bën me dije se AKU ka vendosur zhbllokimin e aktivitetit të subjektit “Sori-Al”, duke i lejuar vijimin e përgatitjes së ushqimeve në ambientet e kuzhinës brenda Garnizonit “Skënderbej”. (A2 Televizion)