Jeta e vështirë e bariut: Djemtë ikën, gruaja thotë më lodhe. Si të ushqehem?

Nga Çaku Tafa
21 Korrik 2026, 14:14 | Aktualitet

Të jetosh si bari në kodrat e Mallakastrës, nuk është një punë e zgjedhur por e detyruar nga rrethanat e jetës. Punë pa orar, ecje në terrene të vështira dhe kujdes i vazhdueshëm për tufën. Kjo është jeta e 67-vjeçarit Ardian Jahaj nga Aranitasi. Prej moshës 17-vjeçare ai i është përkushtuar blegtorisë dhe sot mbarështon rreth 180 krerë dhi.

“Këtë punë e kam shumë me qejf. Këtu ku ka rënë zilja, e ka tundur gjyshi. Unë në mëngjes ngrihem në 5:00. Mjel dhitë, nisim qumështin, po ngeli do ta bëjmë djathë. Kjo punë të bën budalla. Të ndan nga shoqëria, fëmija pse nuk rrin sot më?”, thotë ai.

Dhitë kanë mbajtur në fshatë Ardianin së bashku me bashkëshorten, por jo fëmijët e tyre. Djemtë janë larguar dhe i gjithë fshati ka shumë pak tufa bagëtish.

“Çunat të dy më lanë, u gëzoi leku në botë. Gruaja më thotë më lodhe. Po ku të vete unë?”, thotë Ardiani.

Sikur mos të mjaftonin këto, edhe shitja e qumështit është bërë më e vështirë. Në mungesë të baxhove, ai e shet te banorët e zonës me gjysmën e çmimit të tregut.

Në çdo stinë të vitit kjo natyrë mbetet magjepsëse, por ka nevojë të popullohet me njerëz dhe zhurmën e bagëtive. Me keqardhje, Ardiani thotë se blegtoria po shkon drejt fundit, ndaj kërkon më shumë mbështetje nga shteti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos