Kampi duhej të inaugurohej në 20 maj, deputetët e PD të Italisë vizitë blic në Gjadër: Punimet s’kanë filluar

Nga A2 CNN
22 Maj 2024, 19:53 | Aktualitet

Deputetët e Partisë Demokratike në Itali kanë bërë një vizitë blic në Gjadër, aty ku është parashikuar që të ngrihet qendra e pritjes së emigrantëve. Në vizitën e tyre, Matteo Mauri, së bashku me kolegët Simona Bonafè, Enzo Amendol dhe Matteo Orfini thanë se në 70 mijë metra katrorë nuk kanë gjetur asgjë. Punimet nuk kanë nisur, duke theksuar se e gjitha ishte një propagandë e shëmtuar e kryeministres Giorgia Meloni.

“A e kupton se çfarë po bëni? Ju po shkelni të drejtat e njeriut, po shpenzoni një shumë të madhe parash publike dhe mbi të gjitha nuk jeni në gjendje as të mbani fjalën që keni thënë”, ka thënë Mauri .

Sipas kalendarit të shpallur nga qeveria Meloni, qendrat duhet të ishin inauguruar të hënën më 20 maj, por siç është njoftuar javët e fundit nga Repubblica, dorëzimi i punimeve është planifikuar për në fund të vjeshtës, çka ka shtyrë në kohë edhe sjelljen e emigrantëve drejt Shqipërisë.

“Përpjekja e Melonit për të pasur një reklamë elektorale për emigrantët për zgjedhjet evropiane dështoi keq. Jemi përballë më shumë se 70 mijë metra katrorë hiç. Punimet mezi kanë nisur, pavarësisht njoftimeve të Qeverisë që kishte caktuar datën e hapjes së qendrës më 20 maj 2024”, deklarojnë deputetët e PD-së.

“E vetmja gjë që lëviz është buxheti. Tani kemi shkuar nga 653 milionë në mbi 800 milionë. Dhe burimet e nevojshme vazhdojnë të rriten, siç e kishim raportuar tashmë në nënshkrimin e marrëveshjes. Është e qartë se jemi përballë një përpjekjeje qesharake për të paguar një reklamë elektorale për zgjedhjet evropiane. I kërkojmë kryeministres Meloni të heqë dorë nga ky projekt dhe të zhvendosë burimet drejt fuqizimit të burimeve që do t'i akordohen sistemit kombëtar shëndetësor”, kanë vijuar deklaratën e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos