Telashet për kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari nuk kanë të sosur. Teksa ia doli që të mos humbte mandatin, mos deklarimi në formularin e dekriminalizimit të dënimit që ka pasur në Greqi për kalim të paligjshëm të kufirit e ka çuar sot në dyert e SPAK.
Ai është marrë zyrtarisht i pandehur për “Falsifikim të dokumenteve”, vepër penale kjo që dënohet me burgim nga 6 muaj në 5 vjet. Nën shoqërinë e avokatit të tij, Theodhori Sollaku, Hajdari është parqitur sot në SPAK ku është marrë në pyetje.
"Ishim për një kallëzim të bërë nga subjektet politike për një dënim qortimi të dhënë në Greqi 25 vjet më parë. Kanë pretenduar se nuk e ka deklaruar. Nuk ka pasur asnjë vendim të publikuar, asnjë komunikim për këtë vendim. Por edhe nëse do të kishte, nuk do të kishte asnjë pasojë", tha Sollaku.
Kreshnik Hajdari rezulton të jetë i dënuar në Greqi nga Gjykata e Janinës në vitin 1999, gjë të cilën ai nuk e ka deklaruar në Formularin e Dekriminalizimit. Hajdari u dënua me 4 muaj burg. Ky dënim u konvertua në shërbim prove, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Denoncimi për Hajdarin u bë nga Partia e Lirisë në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve kërkesën në prill 2023. (A2 Televizion)