Marrëveshja me Italinë, Rama: Nuk është e vërtetë që do të sjellin "3 000 meshkuj afrikanë"

Nga A2 CNN
14 Nëntor 2023, 18:37 | Aktualitet

Marrëveshja me Italinë, Rama: Nuk është e vërtetë

I pranishëm në Forumin e Medias për Europën Juglindore, që zhvillohet në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka komentuar edhe detajet e marrëveshjes me Italinë për refugjatët.

Teksa fliste për rolin e medias dhe gazetarëve, kryeministri akuzoi këta të fundit se kanë shtrembëruar fjalët e homologes së tij italiane Giorgia Meloni rreth kategorisë së refugjatëve që do të zgjidhen për t’u sjellë në Shqipëri.

“Më duhet t’i përgjigjem pyetjes për rrezikun që mund t’i vijë Shqipërisë duke sjellë këtu 3000 meshkuj afrikanë. Nuk ka qenë kurrë kështu. Kur kryeministrja e Italisë e shpjegoi, tha se gra shtatzëna dhe të mitur nuk do të përfshihen në program. Për shkak të gjendjes së tyre. Ata do të merren dhe do cohen menjëherë aty ku do t’u jepet ndihmë e menjëhershme.”  

Megjithatë, kryeministri sërish nuk e sqaroi nëse refugjatët që do të vinë do të jetë vetëm meshkuj, apo do të ketë edhe gra.

Kujtojmë se Italia do të ndërtojë dy qendra të menaxhimit të emigrantëve në Shqipëri, të cilat, kur të jenë plotësisht funksionale, do të jenë në gjendje të menaxhojnë një "fluks vjetor prej 36 mijë personash”.

Rama është shprehur më herët se marrëveshja ka nisur të ideohet në gushtin e kaluar gjatë pushimeve të Melonit në Dhërmi, por që pas bërjes së saj publike, kreu i qeverisë ka dhënë detaje kryesisht vetëm për mediat italiane.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu