Paga minimale e mësuesve do të jetë 90 mijë lekë, pas korrikut 2024, Braçe: Vëmendje te mjekësia sportive

Nga Marjo Brakaj
14 Nëntor 2023, 15:12 | Aktualitet

Paga minimale bruto e mësuesve do të jetë 90 mijë lekë, apo thënë ndryshe ajo që do të marrin në dorë do të jetë jo më pak se 72 mijë lekë... por pas korrikut të vitit të ardhshëm.

“Duam që gjithë niveli i pagave sa i takon arsimit fillor, bazë e të mesëm të kapë 90 mijë lekë në muaj, siç e kemi premtuar. Jemi duke punuar. Ambicia jonë është të mos ketë më pak se 90 mijë lekë. Mbështetja buxhetore do të nisë në korrik”, deklaroi Manastirliu.

Nga komisioni për Ekonominë dhe Financat, kryetari Eduart Shalsi dhe Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi pyetën mbi disa nisma të reja që kanë nisur të zbatohen në dy prej skajeve të cikleve të studimit.

“Lidhur me gjuhën e huaj në klasën e parë, si po shkon procesi dhe si parashikohet shtrirja e mëtejshme”, u shpreh Ekonomi.

“Sa po monitorohen universitetet private, marrë parasysh dëmet që disa prej tyre i kanë shkaktuar vendit më herët?”, theksoi Shalsi.

Manastrliu tregoi edhe mbi ecurinë dhe sfidat që kanë hasur këto nisma.

“Janë më shumë se 1090 klasa deri tani që bëjnë anglishte në klasën e parë. Kemi përfunduar procesin për 12 IAL dhe në vijim do të ecim edhe me 28 universitete të tjera. Në fokus kemi procesin e akreditimit të tyre”, u shpreh Manastirliu.

Duke iu referuar humbjes së jetës së futbollistit Raphael Dwamena në fushën e lojës, Erion Braçe kërkoi që një pjesë e buxhetit për vitin e ardhshëm të kalojë për mjekësinë sportive.

“Së pari zonja ministre, ne nuk kemi mjekësi sportive. E kam mësuar këtë ditët e fundit. Nuk kemi as specializim në universitetin e Mjekësisë në këtë aspekt, aq sa sot ne kemi pothuajse zero mjek sportivë pranë ekipeve. Ashtu siç kemi zero mjek sportive në ekipet e moshave. Do të duhet që në universitetin e sporteve ju si ministri të bini dakord që të hapni sa më shpejt e mundur në Universitetin e sporteve profilin për mjekë sportivë", tha Braçe.

Vitin e ardhshëm Ministria e Arsimit dhe Sportit do të ketë më shumë para në dispozicion 52.2 miliardë lekë nga 47.7 miliardë këtë vit. Arsimi i lartë është cikli i studimeve që merr më shumë para për vitin e ardhshëm, me 1.5 miliardë lekë, ndjekur nga arsimi bazë dhe i mesëm.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni