Po vdesin më shumë se po lindin, 7 nga 12 qarqet regjistruan shtesë natyrore negative në janar-shtator

Nga A2 CNN
14 Nëntor 2023, 10:30 | Aktualitet



Në shtatë qarqe të vendit pati më shumë vdekje se lindje deri në shtator. Korça është qarku me shtesën më negative të popullsisë në 9-muaj këtë vit me 581 humbje më shumë se bebe të ardhura në jetë, pasuar nga Vlora , Fieri, Gjirokastra, Shkodra, Berati dhe Elbasani.

Tirana regjistroi shtesën më të lartë të popullsisë në harkun janar-shtator me 2 mijë e 193 lindje më shumë se vdekje. Durrësi, Kukësi, Dibra dhe Lezha gjithashtu regjistruan shtesë natyre pozitive, por në shifra më të ulëta se një vit më parë.

“Është tregues i rrudhjes së numrit të popullsisë që banon në Shqipëri. Kapitali më i madh i këtij vendi janë njerëzit dhe ky kapital po tkurret. Arsyet janë disa”, tha sociologu Dervishi.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në harkun e muajve janar-shtator, në total në vend lindën 16 mijë e 353 bebe nga mbi 17 mijë e 600 në po të njëjtin hark kohor të një viti më parë.

“Një fëmijë është pak e dy janë shumë. Ky në fakt është trend botërore, por ndryshe nga Shqipëria, vendet e tjerat kanë gjetur mënyra se si të mbushin këto boshllëqe”, tregon mjeku Çelami.

Në fakt të dhënat tregojnë se më shumë se nga shtimi i vdekjeve, shtesa natyrore e popullsisë ka ardhur nga rënia e lindjeve. Arsyet i tregojnë vetë ata, prindërit e rinj që po kanë frikë të bëhen të tillë.

E vetmja ecuri pozitive në drejtim të demografisë u regjistrua te vdekjet. Në 9 muaj humbën jetën 15 mijë e 215 vetë, 15.4 për qind më pak se një vit më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos