Rritja e pagave, nga mësuesit e pakënaqur tek pensionistët e zhgënjyer

Nga A2 CNN
26 Maj 2023, 18:00 | Politikë
Rritja e pagave, nga mësuesit e pakënaqur tek pensionistët e

Rritja e pagave  nuk ka kaluar në heshtje për një pjesë të kategorive përfituese. Edhe pse refuzojnë daljen për kamerën, mjekët specialistë duken të kënaqur më rritjen 50 mijë lekë në muaj.

Nuk kanë pranuar të flasin as sindikatat e tyre të cilat thonë se presin një zgjidhje për pagat e mjekeve të familjes, ku një pjesë e përfitojnë rritjen si specialistë e të tjerë  si mjekë të përgjithshëm.

I vetmi reagim ka qenë i Ministres së Shëndetësisë, e cila ka deklaruar vijimin e planit 2-vjeçar për rritjen e pagave.

Edhe mësuesit druhen të flasin publikisht, por nuk  fshehin pakënaqësinë në lidhje me masën e rritjes së  pagës. Ndërsa për ekspertë të arsimit kjo tregon mungesën e vëmendjes ndaj mësuesisë, profesioni që po shkon drejt mbylljes.

Arritje e quajnë pedagogët rritjen e pagave, edhe pse muaj më parë kërkesa e tyre cilësohej e pamundur për kryeministrin duke u shoqëruar nga sulme dhe kritika. Por ata që ndihen  edhe më të varfër se dje janë pensionistët. 

Para zgjedhjeve vendore të 14 majit, pensionistët morën një shpërblim prej 5 mijë lekësh pas mbledhjes së taksës së re mbi prodhuesit e energjisë. Kjo shtyu për në tetor indeksimin e përvitshëm të pensioneve.

Ndërkohë në seancën e të enjtes parlamenti kaloi edhe me votat e opozitës rritjen e pagave për 130 mijë punonjës, përfshi edhe dyfishimin e pagave të hierarkisë së shtetit nga presidenti deri tek deputetët e ministrat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos