Komisioni Europian është informuar për marrëveshjen Itali-Shqipëri përpara se krerët e dy vendeve të hidhnin firmat. Kjo është ajo që raportojnë mediat italiane, të cilat citojnë zëdhënësen e Brukselit, Anitta Hipper.
“Jemi në kontakt me autoritetet italiane, kemi kërkuar të marrim detaje për marrëveshjen e emigrantëve me Shqipërinë”. Para se të komentojmë më tej, duhet të kuptojmë se çfarë synohet të bëhet saktësisht,” thuhet në reagim sipas mediave italiane.
Sa i përket krahasimeve që janë bërë me marrëveshjen Britani e Madhe-Ruandë, KE-ja shprehet se paraprakisht nuk duken të jenë raste të njëjta.
“Kemi ngritur disa pyetje për marrëveshjen e Londrës. Kemi nevojë për më shumë informacion nga Italia përpara se të hyjmë në detaje, por nga informacionet e para që shohim nuk është njësoj.”
Duke u ndaluar te kërkesat për Azil, zëdhënësja e Brukselit nënvizon që aplikimet për azil mund të depozitohen edhe njerëz në vende të treta.
“Për sa i përket kërkesave për azil të paraqitura në territorin e një shteti anëtar dhe kjo përfshin si kufirin tokësor ashtu edhe atë detar, ekziston një element që thotë gjithashtu se shtetet anëtare nuk janë të përjashtuara nga mundësia e marrjes së masave sipas ligjit kombëtar për të lejuar aplikimet për azil që të depozitohen nga njerëz nga vendet e treta.”
Megjithatë, KE-ja shton se kjo duhet të bëhet pa paragjykuar aplikimet e Unionit për azil. Po ashtu, Brukseli i kujton Italisë se “kur bëhet fjalë për kërkim-shpëtim, nuk është Komisioni ai që ka fuqinë të tregojë se cilat janë vendet e zbarkimit". (A2 Televizion)