Rreth 570 persona mund të fitojnë lirinë nga qelitë e burgimit falë ligjit për “dhënie amnistie” të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë.
A2 CNN ka mësuar se në draft është parashikuar që të pushojë ndjekja penale për pjesën me të madhe të kundërvajtjeve penale që dënohen deri në 2 vite burg.
Nga ana tjetër, përfitojnë nga 1 vit ulje dënimi të gjithë të dënuarit burra dhe gra, si edhe të miturit që nuk janë pjesë e amnistisë. Këtu përjashtohen të dënuarit me burgim të përjetshëm, të dënuarve për vrasje ose ato që janë subjekt i SPAK.
Projekti i këtij ligji, një kopje e të cilit u sigurua nga A2 CNN, i është përcjellë për miratim Kuvendit.
Pas kalimit në Parlament, ku kërkon 84 vota pro, ligji “për dhënie amnistie” është parashikuar t’i fillojë efektet 15 ditë pas botimit në fletore zyrtare.