Ish-shefi i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça ka mbërritur në Gjykatën e Tiranës për verifikimin e masës së sigurisë "arrest në shtëpi".
Muça në një prononcim të shkurtët për gazetarët para hyrjes në gjykatë, ka mohuar akuzat ndaj tij. “Është e gjitha një spekulim mediatik. Unë deklarohem i pafajshëm. Nuk kam kryer asnjë shkelje. Kam zbatuar vetëm detyrën. Lëreni drejtësinë të bëjë punën e saj”, tha ai.
Në sallën e gjyqit, Muça ka kërkuar hetimin pa asnjë masë sigurie, me pretendimin se nuk ka kryer asnjë vepër penale. Sipas tij, ndonëse sistemi bënte back up, ishte e nevojshme mbajtja e një kopjeje offline ne kasafortën e Policisë së Shtetit.
Në përfundim të seancës, Gjykata e Tiranës la në fuqi masën "arrest në shtëpi" për Muçën, i akuzuar për "ndërhyrje të pa autorizuar në rrjetet kompjuterike".
Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës pas hetimeve për ndërhyrjet në sistemin TIMS kërkoi aplikimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” për Muçën, por edhe pezullimin e tij nga detyra. Ish-shefi i IT akuzohet për eksportimin e të dhënave të sistemit TIMS, një vepër penale e parashikuar nga neni 192/b/2 i Kodit Penal si “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.
Hetimi për këtë çështja ka nisur nga një referim i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, pasi dyshohet se Muça në datën 2 Gusht të vitit të kaluar në orët e vona të natës ka eksportuar në një hard-disk të jashtëm të dhënat sensitive të sistemit TIMS.
Ndërhyrjet në TIMS shqetësuan dhe ambasadën e SHBA, ku i ngarkuari me punë McDowell gjatë një takimi në Gusht me ministrin Balla kërkoi hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm të çështjes.
(A2 Televizion)