Ky vit që lamë pas për kreun e qeverisë Edi Rama ishte më i miri i Shqipërisë. Në një video-mesazh drejtuar qytetarëve me rastin e ndërrimit të viteve, kryeministri teksa përmend arritjet e qeverisë, theksin e vë tek Inteligjenca Artificiale të cilën ka premtuar ta integrojë në portalet qeveritare vitin që vjen për ta vënë në shërbim të qytetarëve.
“Ky vend më në fund po bëhet dhe po e bëjnë shqiptarët e kësaj kohe,” thotë Rama në mesazhin e tij ndërsa rendit arritjet si: rritja e besimit ndaj Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, rritja e investimeve të brendshme dhe të huaja, fuqizimi i monedhës vendase, numri i lartë i turistëve që vizituan vendin dhe rritja e pagave.
Kryesocialisti falenderon gjithashtu ata që e kanë mbështetur, të cilët i siguron se është i vetëdijshëm edhe për “gjërat që s’kanë shkuar mirë, edhe për shumë gjërat që duhen bërë më tutje.”
Mesazhi i urimit
"Ky që po mbyllet ishte një tjetër vit i një kohe ndryshimi marramendës për njerëzimin, ndryshimi më marramendës i historisë njerëzore – ku progresi teknologjik ka hyrë në një shpejtësi të paimagjinueshme deri pak vite më parë.
Po një gjë është e sigurtë.
Teknologjia as nuk na e merr dot, kohën që na është dhënë në këtë tokë me nënën, babën, fëmijët, familjen, rrethin e njerëzve të dashur, as nuk na i zëvendëson dot ata që duam e na duan, bashkë me vendin ku jemi lindur e ku flasim gjuhën e nënës.
Na takon ne të bëjmë më të mirën me këtë kohë që na është dhënë dhe sonte, unë ju uroj gjyshërve, nënave e baballarëve, fëmijëve e fëmijëve të fëmijëve, nipave e mbesave, të gjithë shqiptarëve kudo ku janë, një mbrëmje të gëzuar në tavolinën e festës së madhe të këtij fundviti dhe një Vit të Ri siç jua do zemra, shëndet, paqe e dashuri, e me mundësi të reja për realizimin e ëndrrave dhe përmbushjen e shpresave.
Ky ishte padiskutim viti më i mirë i Shqipërisë; besimi tek Shqipëria u rrit ndjeshëm, flamuri ynë u duk më bukur se asnjëherë në skenën ndërkombëtare, ndërsa vendi ynë u vizitua më shumë se në çdo vit tjetër më parë nga njerëz që erdhën nga e gjithë bota.
Ky ishte viti i hyrjes së Shqipërisë me dinjitet në hartën turistike të Europës; të ardhurat dhe siguria e Shqipërisë u rritën gjithashtu, bashkë me investimet e brendshme e të huaja, që arritën shifrën më të lartë ndonjëherë, njësoj siç u fuqizua monedha jonë, e cila nuk ka qenë kurrë më e fortë sesa sot; rritja e pagave vazhdoi për të mos u ndalur vitin e ardhshëm, kur do të arrijmë në 900 Euro nivel të pagës mesatare në sektorin publik dhe do të kemi një rritje rekord të pagave në sektorin privat…
Por kjo nuk është dita e as ora për t’ju folur më gjatë për shumë gjërat e mira që u bënë këtë vit…
Madje ky është momenti për t’ju falenderuar thellësisht nga zemra për sa shumë më keni inkurajuar, mbështetur, po edhe duruar në aq shumë herët që ju jam shfaqur gjatë vitit në ekranet tuaja pa ju marrë leje, dhe për t’ju siguruar se jam shumë i vetëdijshëm, edhe për gjërat që s’kanë shkuar mirë, edhe për shumë gjërat që duhen bërë më tutje…" (A2 Televizion)