Rëndësia e eliminimit të pandëshkueshmërisë, lufta kundër korrupsionit, roli i gjyqësorit e pavarësia e tij janë kthyer në qendër të diskutimeve të autoritete shqiptare me departamentin amerikan të shtetit. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global në Departamentin amerikan të Shtetit, Richard Nephew i cili vizitoi Tiranën së fundmi listoi përparimet e Shqipërisë teksa shtoi se ka ende punë për të bërë.
“Mendoj se fokusi kryesor i diskutimeve tona ka qenë rëndësia e eliminimit të pandëshkueshmërisë dhe e luftës kundër korrupsionit, duke siguruar që reformat e gjyqësorit dhe përparimi që është bërë për të siguruar pavarësinë dhe forcën e gjyqësorit do të ruhen.
Realiteti është që lufta kundër korrupsionit është afatgjatë. Kërkon shumë përpjekje këmbëngulëse. Sigurisht kërkon edhe përpjekje këmbëngulëse ku të duhet gjithmonë të shohësh mënyrat për t’u angazhuar në reforma. sigurisht ka patur përparim, por ka mjaft më shumë që mund të bëhet dhe ne jemi këtu për ta mbështetur Shqipërinë në këtë përpjekje”, tha Richard Nephew, Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global, DASH.
Zyrtari amerikan vlerësoi përparimin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit ndërsa deklaroi se duhet të ketë mekanizma për të lejuar raportimin e ankesave nga çdokush.
“Kur ke shenja se ka një numër individësh që përfshihen në shkelje, duhet të shohësh jo vetëm se si t’i përgjigjesh atyre. Dhe kjo bëhet duke siguruar që gjyqësori të jetë i pavarur dhe i aftë të funksionojë i pavarur, që prokurorët janë në gjendje të veprojnë të pavarur.
Në vend që të themi se ka nevojë për institucione të reja apo zëvendësuese, duhet të shohim që të sigurohemi që institucionet që ekzistojnë në sistemet ekzistuese funksionojnë sa më efektshëm që mundet dhe aty ku nuk funksionojnë, të gjenden mënyra për t’i përmirësuar ato”, shtoi ai.
Richard Nephew tregoi mbështetjen e SHBA edhe për Komisionin e ngritur Anti-korrupsion, por theksoi rëndësinë e përfshirjes së aktorëve ndryshëm sidomos organizatat e shoqërisë civile dhe të tjerë . (A2 Televizion)