Eurokomisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi ka përmbledhur shkurt katër fushat kryesore në të cilat u përqendruar diskutimet ditën e sotme në samitin e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Tiranë.
Në konferencën e përbashkët për mediat, Várhelyi tha se mes liderëve u diskutua së pari për SEPA-n, Zonën e Përbashkët të Pagesave në Euro.
Një tjetër çështje për të cilën është diskutuar në Samit, janë ato që quhen korsitë jeshile. Pra, pritet që brenda këtij viti, të ulet koha e pritjes në pikat e kalimit kufitar në vendet e rajonit.
Pika e tretë është krijimi i një qendre, në Ballkanin Perëndimor, që do të shërbejë për punë kërkimore-shkencore.
“Industritë e ndryshme do të kenë nevojë për një qendër, bërthamë. Të krijohet këtu në Ballkan në sektorin farmaceutik, digjital.”
Brenda këtij viti, BE pret po ashtu nga vendet e rajonit që të ofrojnë internet falas në zonat publike. Unioni pret që, me ndihmën që do t’u jepet bashkive, kjo të realizohet po ashtu këtë vit.
Ndërsa, sa i përket agjendës për 2025, eurokomisioneri theksoi se tashmë presin që të jetë rajoni ai që do të sjellë ide. Financimi shtesë prej 6 miliardë dollarësh do të jetë për t'i ndihmuar vendet me reformat e nevojshme për t'u anëtarësuar në Union. (A2 Televizion)