“Nga lindi nevoja për një Kod të ri penal? Kush e kërkoi ndryshimin e Kodit Penal?! Është kjo pyetja që habit Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela? Përgjigjen kërkoi ta gjente në Komisionin e ligjeve gjatë raportimit vjetor, ku u shpreh i çuditur nga iniciativa e Ministrisë së Drejtësisë.
“Kush e ka hedhur idenë që ky Kod nuk po i përgjigjet më nevojave të Kohës? Dhe unë derisa sa doli ideja e kodit të ri penal nuk kisha dëgjuar shqetësime që ky kod që kemi është i pa zbatuehsëm, është i pa plotë”, tha Çela.
Madje prokurori shkoi edhe më tej, duke ngritur si shqetësim mungesën e një arsyetimi problematikash që të cilat të rishkruhet Kodi Penal.
“Unë sot nuk kam asnjë lloj burimi informacioni dhe nuk e di nëse ju e e keni nëse kodi aktual penal po krijon probleme serioze në administrimin e shtetit, në administrimin e drejtësisë, në administrimin e jetës shoqërinë. Nëse ne nuk kemi ne këtë të dhënë, do të bëjmë kod nga asgjëja”, tha ai.
Ndryshime, sipas tij, kërkohen në disa ligje të tjera, kryesisht ato të reformës në drejtësi. Mënyra e vlerësimit të prokurorëve, plotësimi i vakancave apo kodi i procedurës penale, nevojitet të rishikohen.
“Nuk kemi pse ta shikojnë reformën në drejtësi si një libër të shenjtë të pagabueshëm. Të gjithë gabojmë. Të gjithë gabojmë! Gabon ligjvënësi, gabojmë ne, ama duhet të kemi fuqinë e reflektimit, të analizës dhe të dhënies së zgjidhjeve”, përfundoi prokurori.
Raportimi i Prokurorit të Përgjithshëm do të shoqërohet me një rezolutë nga Kuvendi, përmes së cilës pritet t’i lihen detyra shtesë organit të akuzës sa i përket luftës ndaj kriminalitetit. (A2 Televizion)