Përfundon operacioni, Rama në gjendje të mirë, do të kalojë natën në spital

Nga Ornela Joti
3 Tetor 2024, 11:33 | Aktualitet

Ka përfunduar ndërhyrja kirurgjikale e kryeministrit Edi Rama. Burime për A2 CNN bëjnë me dije se gjendja e tij është e mirë dhe operacioni ka dalë me sukses.

Ndërhyrja përmes metodës së laparaskopisë zgjati rreth dy orë. Më herët, Kryeministri njoftoi se pas përfundimit të ndërhyrjes, Rama do të kalojë natën në spital.

Operacioni u realizua nën drejtimin e mjekut Arben Gjata, i ndihmuar nga Arben Beqiri, Dritan Rehovica, shefi i anestezi-reanimacionit Krenar Lila, dhe Saimir Kuçi.

“Kryeministri Edi Rama po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale laparoskopike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ekipi mjekësor nën drejtimin e Prof. Dr. Arben Gjata po kryen ndërhyrjen kirurgjikale të hernies inguinale. Pas përfundimit të ndërhyrjes, Kryeministri Rama pritet të kalojë natën e sotme në mjediset spitalore të QSUNT”, njofton Kryeministria, raporton A2 CNN.

Kryeministri e paralajmëroi në fund të gushtit se do të operohej sërish për shkak të një problemi shëndetësor. Gjatë një vizite në QSUT, ku u përurua spitali ditor, Rama tha se do të paraqitet sërish si pacient, pasi duhet të kryejë edhe një ndërhyrje, për shkak të një problemi me hernien inguinale, shkruan televizioni A2.

“Unë mund të flas edhe si pacient i spitalit që e provova vetë, madje mund të vij prapë për një tjetër ndërhyrje, kam një hernie inguinale që... i kam mësuar edhe emrin... Se kësaj diskales nuk kërkoj mjek se punoj me forcat e mia, me streçing dhe vetëpërmbajtje para ushqimit që të mos e rëndoj shumë me kolonën e lodhur nga basketbollit, por kësaj inguinales me sa duket nuk i bëj dot derman me forcat e mia, kështu që do të vij prapë”, tha Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos