Reshjet e dendura të shiut që nisën nga ora 15:00 e mesditës zhytën Vlorën në kaos këtë të premte, duke bërë që uji të vërshonte nëpër rrugë e banesa, dhe të merrte përpara makina e madje dhe tre qytetarë që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Teksa zona të shumta të qytetit bregdetar kanë mbetur pa energji elektrike, për shkak se OSSH ka stakuar disa fidera për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme nga kontakti me rrymën, nga Ministria e Mbrojtjes bëjnë me dije se situate është përmirësuar në orët e mbrëmjes.
“Situata në qytetin e Vlorës është drejt normalizimit. Pas reshjeve të dendura në pjesën e dytë të ditës së sotme, intensiteti i reshjeve ka rënë dhe, si pasojë, edhe uji është tërhequr”, thuhet në një njoftim të Ministrisë.
Në një video ku sqaron situatën me përmbytjet në Vlorë, Drejtori i Gatishmërisë dhe Koordinimit të Përgjigjes Emergjente Leonard Qyra thotë se në vetëm tre orë në qytetin bregdetar kanë rënë 180 milimetër shi, shkruan A2.
“Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në 3 orë u regjistruan rreth 180 mm reshje shiu. Ndërkohë, janë evakuuar 33 familje (55 persona), të cilët janë sistemuar në ambientet e konvikteve nga Bashkia Vlorë”, thotë Qyra.
Më tej ai deklaron se Ministria e Mbrojtjes, në koordinim me Shtabin e Përgjithshëm dhe AKMC, dërgoi sot në Vlorë 28 forca, 8 mjete me kalueshmëri të lartë, 2 motopompa për heqjen e ujit, 1 gomone dhe 5 mjete transporti.
Sakaq, në mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes Civile, ku mori pjesë edhe kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, u diskutua për evidentimin e zonave të cilat kanë prezencë uji dhe kanë nevojë për ndërhyrje, menaxhimin e trafikut në qytet, furnizimin e pandërprerë me energji elektrike të hidrovoreve dhe stacioneve të pompimit dhe koordinimin dhe menaxhimin ndërmjet strukturave të bashkisë dhe policisë për familjet e evakuuara.
Gjithashtu do të nisë puna në terren për pastrimin e kanaleve, të cilat janë mbushur për shkak të prurjeve të përrenjve, raporton A2.
Ministria në fund sqaron se për orët në vijim nuk parashikohen reshje me intensitet të madh për qytetin brehdetar, por grupet e punës së Emergjencave Civile dhe ushtrisë do të vazhdojnë të monitorojnë situatën në terren për t’i ardhur në ndihmë Bashkisë së Vlorës. (A2 Televizion)