Reshjet e dendura të shiut të nisura pas mesditës kanë sjellë përmbytjet e disa akseve dhe kryqëzimeve në qytetin e Vlorës.
Gazetarja e A2 CNN, Jerola Ziaj raporton se rruga "Hasan Kushta", rruga "Gjergj Araniti", aksi pranë Kishës Ortodokse dhe Bibliotekës publike si dhe pjesë të bulevardit "Ismail Qemali" janë përmbytur nga ujërat e shumtë, ndërsa kanë sjellë probleme në lëvizjen e mjeteve.
Reshjet po bien me intensitet të lartë, ndaj dhe prurjet e ujit janë të shumta.
Automjetet dhe këmbësorët kanë hasur vështirësi në lëvizje për shkak të prezencës së madhe të ujit në rrugë e trotuare, raporton gazetarja e A2.
Për të normalizuar situatën është ndërhyrë nga punonjës të shërbimeve të bashkisë Vlorë në hapjen e pusetave dhe kanalizimeve. Por situata vijon të jetë e rënduar.
Më herët bashkia e Vlorës me një njoftim paralajmëroi qytetarët që të mos parkonin mjetet në segmentet problematike të qytetit, për shkak të përmbytjeve. (A2 Televizion)