Rihapja e Muzeut Arkeologjik në Durrës pas një mbylljeje të gjatë, gati 7-vjecare që pas tërmetit të nëntorit të vitit 2019, ka rikthyer menjëherë interesimin e turistëve të huaj për këtë atraksion historiko-kulturor mjaft interesant jo vetëm për Durrësin, por edhe për vendin tonë.
Në fakt, vlerat që konservon ky muze i dallon edhe në përshtypjet e para të vizitorëve të huaj të kombësive të ndryshme, shkruan A2.
“Hera e parë që vijmë në Shqipëri dhe në Durrës. Është shumë bukur, unë e adhuroj arkeologjinë dhe për mua të shikojë këto gjera, të shikojë gjëra greke, apo të Perandorisë Romake është shumë bukur dhe mjaft impresionuese për mua”, tha një turist italian.
“Historia më pëlqen shumë, unë vij nga Firence dhe për ne arti dhe historia na e kanë mësuar dhe tërhequr që në fëmijëri dhe të shikoj këtu pjesë të ngjashme edhe nga historia italiane është shumë bukur”, thotë një italiane.
“E adhuroj këtë muze. Ekspozimet e vjetra janë mjaft tërheqëse, gjithçka është e sqaruar edhe në anglisht dhe po e shijoj pa masë”, u shpreh një tjetër turiste.
Me koleksionin e tij të pasur dhe interesin në rritje të publikut, Muzeu Arkeologjik i Durrësit po rikthehet gradualisht në një nga atraksionet më të rëndësishme kulturore dhe turistike të vendit.
(A2 Televizion)